TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Prill 2026, 14:58

Djegia e pallatit, shërbimi zjarrfikës dorëzon në Prokurori ekspertizën si nisi zjarri te “Farmacia 10”

Shkruar nga Pamfleti
Djegia e pallatit, shërbimi zjarrfikës dorëzon në Prokurori
Djegia e pallatit pranë QSUT

Shërbimi zjarrfikës ka përfunduar ekspertizën për zjarrin e datës 14 prill që dogji pallatin shumëkatësh në Tiranë dhe rezultatin ia ka dorëzuar prokurorisë.

Sipas aktit të ekspertimit, vatra e zjarrit rezulton të jetë bërë karroca me mbeturina, e cilla është e dukshme edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë, që zjarri nis tek kartonat pesë sekonda pasi largohen fëmijët.

Mësohet se sipas prokurorisë së Tiranës shërbimi zjarrfikës ka arritur në konkluzionin që shkak i zjarrit janë faktorë të jashtëm. Që do të thotë, se ndryshe nga sa ishte aluduar më parë, shkak nuk është as neglizhenca e shërbimit aty, as shkëndija elektrike dhe as ndonjë bombël gazi.

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje edhe pesë fëmijë në lidhje me zjarrin e rënë në kompleksin e pallateve pranë “Farmacisë 10” në Tiranë.

Fëmijët hedhin mbeturina në një karrocë, e cila konsiderohet edhe si vatra fillestare e zjarrit, nga ku më pas shpërthyen flaket që dogjën pallatin shumëkatësh.Të miturit e identifikuar janë banorë të kompleksit dhe pyetja e tyre është kryer në prani të psikologëve dhe prindërve.

Ata kanë treguar se nuk bënë asgjë me paramendim dhe se kishin parë një vazo të djegshme dhe pranë saj mbeturinat ishin në karrocën që gjendej afër një kondicioneri.

Ngjarja ndodhi më 14 prill, ku si pasojë e zjarrit që përfshiu pallatin u shkrumbuan 30 apartamente. Një ditë më pas kryeministri Edi Rama me anë të një reagimi në rrjetet sociale tha se apartamentet do të rindërtohen 100% nga vetë kompania. Kompania nëpërmjet një reagimi zyrtar konfirmoi rindërtimin e apartamenteve të djegura.

Pas ngjarjes policia arrestoi katër shtetas, Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna të dyshuar për shkelje të rregullave të mbrojtjes nga zjarri.

 

djegia e pallatit

Lini një Përgjigje