
Kreu i SPAK, Altin Dumani, po raporton sot në Kuvendin e Shqipërisë mbi ecurinë e punës së Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit të fundit. Në fjalën e tij, Dumani deklaroi se gjatë vitit të kaluar janë forcuar ndjeshëm hetimet për korrupsion dhe krim të organizuar, ndërsa janë konsoliduar kapacitetet profesionale të strukturës.
Sipas Dumanit, numri i çështjeve nën hetim është rritur me 8%, ndërsa numri i personave të hetuar është rritur me 21% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, kreu i SPAK pranoi se numri i procedimeve të reja të regjistruara ka pësuar një ulje prej rreth 15%, çka lidhet me riorganizimin e brendshëm dhe prioritetin e dhënë përfundimit të dosjeve komplekse në proces.
Në raportin e tij, Dumani nënvizoi rëndësinë e hetimeve financiare paralele, që po zhvillohen krahas hetimeve penale. Ai bëri të ditur se janë intensifikuar sekuestrimet dhe konfiskimet e aseteve kriminale, duke arritur në një vlerë prej miliona eurosh, me një rritje prej 60% krahasuar me vitin e kaluar. Këto përfshijnë pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe madje edhe transaksione në kriptovaluta.
“Rekomandimin numër një që lidhet me forcimin hetimeve dhe dënimeve për korrupsionin nënvizojmë se gjatë vitit SPAK konsolidoi kapacitetet profesionale dhe në rritje me 8% të çështjeve nënhetim dhe me 21% të numrit të personave të hetuar krahasuar kjo me vitin. Megjithatë numri i procedimeve të reja të regjistruara shënoi një ulje prej rreth 15%.
Rekomandimi numër dy, që lidhet me hetimet financiare paralele, nënvizojmë se në nëntor të vitit 2021 u miratua udhëzimi i përgjithshëm për masat administrative dhe procedurale për kryerjen e hetimit financiar dhe pasuror në strukturën e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i cili standardizon hetimet financiare dhe zhvillon ato paralelisht me hetimin penal. Si rezultat u intensifikuan sekuestrimet dhe konfiskimet e aseteve kriminale, duke arritur në një vlerë prej miliona eurosh, me një rritje prej 60% krahasuar kjo me vitin e kaluar. Këto përfshijnë pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe transaksione në kriptovaluta.
Për rekomandimin numër tre, që adreson luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, nënvizojmë se gjatë vitit SPAK forcoi bashkëpunimin operacional me Europol, Eurojust, Interpol dhe agjencitë partnere të vendeve të BE-së, Shteteve të Bashkuara si FBI. Gjithashtu vlen të evidentojmë se u krijuan skuadra të reja hetimore të përbashkëta”, tha ai.
Lini një Përgjigje