
Një tjetër sulmues shqiptar po bën mirë në Itali në këtë sezon dhe pret që në të ardhmen të marrë një ftesë nga trajneri i Kombëtares, Silvinjo. Silvio Merkaj ka qenë vendimtar me fanelën e Sudtirolit, duke e ndihmuar këtë të fundit që të mbetet në garë për play-off, për ngjitjen në elitën e futbollit italian.
Sulmuesi i transferuar gjatë verës në klubin e Serisë B, ka shënuar golin që vulosi fitoren 3-0 për skuadrën e tij përballë Kremonezes, një prej ekipeve pretendente për ngjitjen në Serinë A. Sulmuesi 26-vjeçar u aktivizua në minutën e 64 të sfidës dhe në minutën e 83, dërgoi topin në rrjetë për të mbyllur diskutimet për fatin e ndeshjes.
Ky ishte goli i katërt në këtë sezon për Merkajn, i cili ka dhënë edhe dy asiste në 25 ndeshjet që ka luajtur me fanelën e kësaj skuadre, kryesisht duke u aktivizuar si zëvendësues. Sudtirol është në vendin e 9 në renditje, në ndjekje të vendit të 8 që të çon në fazën play-off të turneut.
Lini një Përgjigje