
Bajerni i Mynihut ka marrë fitoren e dytë radhazi në Bundesligë, teksa triumfoi 2-5 ndaj Darmshtadit. Vendasit realizuan të parët. Në minutën e 28, Honsak dribloi mjaft bukur para zonës, për të shërbyer më pas për Skarke, i cili me një të djathtë tokazi mposhti portierin Nojer.
Gjithsesi, në minutën e 36, kampionët e Gjermanisë rikthyen ekuilibrat me Musialën. Brenda pjesës së parë, bavarezët përmbysën shifrat. Kimish krosoi për Kejn, me sulmuesin anglez që me një koordinim perfekt me kokë dërgoi në festë tifozërinë.
Me golin e shënuar sot, sulmuesi anglez është bërë lojtari që ka shënuar më shumë gola në historinë e kampionatit gjerman në sezonin debutues në Bundesligl. 31 realizime për Kejn në total deri më tani.
Pretendimet nga Darmshtadi se topi kishte kaluar vijën në momentin e krosit të Kimish nuk u morën parasysh, arbitri Reishel e konsideroi golin e rregullt, natyrisht vendim ky i marrë pas një komunikimi me kufje me dhomën e VAR-it.
Bajerni mbylli një herë e mirë llogaritë e këtij takimi në pjesën e dytë. Fillimisht Musiala e më pas Gnabri e Tel futën 3 pikët në kasafortë. Oskar Vilhelmson, në shtesë, dërgoi shifrat në 2-5.
Frikë për Kejn në minutën e 82. Sulmuesi u përplas me shtyllën dhe ishte i detyruar të largohej nga fusha për arsye dëmtimi.
Kështu, ekipi i Tuhel renditet në vendin e dytë me 60 pikë, 7 më pak se Leverkuseni kryesues, që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e vet për këtë javë.
Vetëm vendi i fundit për Darmshatdin. Mbijetesa mbetet vërtetë një “malore’ për ta, në një sezon që ashtu siç pritej, po rezulton mjaft i vështirë. Gjasula me shokë duken se kanë marrë rrugën për në Bundesligën e dytë gjermane dhe vetëm matematika i mban në lojë.
Lini një Përgjigje