TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Korrik 2026, 10:53

Tjetër sulm me armë në Gjermani, raportohet për dy viktima

Shkruar nga Pamfleti
Tjetër sulm me armë në Gjermani, raportohet për dy viktima
Policia në vendin e ngjarjes në Ofenburg të Gjermanisë

Një burrë u gjet i vdekur në vendngjarje, ndërsa një grua ndërroi jetë në spital. Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes dhe deklarojnë se nuk ka rrezik për qytetarët…


Dy persona kanë humbur jetën pas një incidenti me armë zjarri në qytetin e Ofenburgut, në Gjermani, ndërsa policia ka ndërmarrë një operacion të gjerë në zonë.

Sipas dëshmitarëve okularë, të cituar nga gazeta gjermane Bild, të shtënat u dëgjuan pranë një kompleksi banesash rreth orës 08:00, ndërsa policia u njoftua menjëherë.

Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët gjetën një burrë të pajetë dhe një grua të plagosur rëndë pranë garazhit të një pallati. Policia i dha ndihmën e parë gruas, ndërsa ekipet e emergjencës dhe një mjek vijuan trajtimin e saj. Megjithatë, ajo ndërroi jetë pak më vonë në spital.

Deri tani, autoritetet nuk kanë sqaruar rrethanat e ngjarjes, identitetin e autorit të mundshëm apo motivet e sulmit. Një zëdhënës i policisë deklaroi për Bild se pranë vendit të krimit është gjetur një armë, ndërsa identiteti i dy viktimave mbetet ende i panjohur.

Zona është rrethuar nga forca të shumta policie dhe hetimet vijojnë me pjesëmarrjen e specialistëve të kriminalistikës. Sipas policisë, nuk ekziston rrezik për qytetarët dhe, bazuar në të dhënat paraprake, incidenti duket se ka përfshirë vetëm dy viktimat.

gjermani sulmi arme

Lini një Përgjigje