Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj propozimit të deputetit Ulsi Manja për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK.
I pyetur nga gazetarët për qëndrimin e tij dhe të Partisë Demokratike lidhur me këtë nismë, Berisha hodhi akuza të forta ndaj Manjës, duke pretenduar se ai është i kushtëzuar nga çështje që, sipas tij, e bëjnë të cenueshëm.
"Tani, lidhur me Ulsiun, që mund t’i vesh çdo emër. Ulsiu është peng i dosjes, e cila në regjistrime nxjerr se Ulsiu nga çunat e Londrës ka marrë 600 mijë euro. Dhe përveç kësaj, ka kërkuar dhe një çantë Louis Vuitton, dhe kur i thotë ai në telefon, po këtë çantën Louis Vuitton për kë e ke? Aha, i thotë, e kam për bashkëshorten. Jo, jo, i thotë, nuk i bën çanta Louis Vuitton asaj, e ke për tjetërkënd, se ia dinin dhe lidhjet Ulsiut, a më kupto apo jo?
Pra, Ulsiu që në momentin që të thirret, Ulsiu i ka të paktën 8 vite deri në 12 vite burg. Prandaj dhe ai është i gatshëm të bëjë çdo kompromis, vetëm t’i shpëtojë kësaj dosje që nuk i shpëton kurrë. Përveç kësaj, ky paska familjarë sipas të dhënave të mediave, nuk mund të them me dokumente, por të implikuar në afera të ndryshme korruptive. Pra, Ulsiu është një skllav i dosjeve të tij.", tha Berisha.
Gjatë komunikimit me mediat, Berisha u pyet edhe nëse kishte një urim për kryeministrin Edi Rama, i cili pak ditë më parë festoi 60-vjetorin e lindjes.
Në përgjigjen e tij, kreu i demokratëve iu referua protestës së zhvilluar më 4 korrik.
"Urimin më të shkëlqyer ia bëri protesta rinore, qytetare me datën 4 korrik, e cila me madhështinë e saj përsëriti 20 shkurtin e vitit 1991. Ajo ishte një protestë me kreativitetin më madhështor, më të jashtëzakonshëm që është parë ndonjëherë në Tiranë. Dhe ata, ata, ia bënë të gjitha urimet që meritonte.", tha kreu i PD.
Lini një Përgjigje