TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Korrik 2026, 10:44

Mbështetja e qeverisë për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, Tabaku: Ma hodhën në kosh propozimin, tani e paraqesin si idenë e tyre

Shkruar nga Pamfleti
Mbështetja e qeverisë për prindërit e fëmijëve me
Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se qeveria ka rikthyer një propozim të saj për rritjen e mbështetjes financiare për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe prindërit kujdestarë, pasi sipas saj është detyruar nga presioni i qytetarëve.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku u ndal te niveli aktual i mbështetjes financiare, duke e cilësuar atë të pamjaftueshëm për të përballuar nevojat e familjeve.

Tabaku rikujtoi se vitin e kaluar ajo dorëzoi në Kuvend një projektligj, të mbështetur edhe në historitë e Mirës dhe Jonës, i cili parashikonte dyfishimin e pagesave minimale dhe maksimale për personat me aftësi të kufizuara. Nisma përfshinte gjithashtu njohjen si vite pune të periudhës së përkujdesjes dhe pagesën e sigurimeve shoqërore për prindërit që kujdesen për fëmijët e tyre.

Demokratja pretendon se projektligji u refuzua në momentin kur u paraqit ndërsa tani, të njëjtat masa janë rikthyer në formën e ndryshimeve në buxhet nga vetë qeveria.

Ajo argumenton se ky ndryshim nuk është rezultat i një qasjeje të re sociale, por i presionit të ushtruar nga qytetarët dhe protestat. Sipas Tabakut, ky rast tregon se reagimi publik mund ta detyrojë qeverinë të ndryshojë qëndrim dhe të pranojë propozime që më parë i kishte kundërshtuar. 

"5,700 lekë është pagesa minimale për një fëmijë me aftësi të kufizuara. Kaq. Asgjë më shumë. Sa 30 bukë në muaj. Ndërkohë, pagesa për një prind që kujdeset për një fëmijë me aftësi të kufizuara është vetëm 14 mijë lekë në muaj. Kaq. Asgjë më shumë. Gjysma e minimumit jetik. Të dyja këto pagesa janë garanci vetëm për mbijetesën. Asgjë tjetër. Vitin e kaluar, bazuar mbi historinë e Mirës dhe të Jonës, propozova një ligj që e dyfishonte këtë pagesë, si atë minimale, ashtu edhe atë maksimale.

Propozimi njihte si vite pune periudhën e përkujdesjes dhe parashikonte pagesën e sigurimeve shoqërore për të gjithë prindërit që kujdesen për fëmijët me aftësi të kufizuara. E morën dhe e hodhën në kosh me arrogancë.

E refuzuan. Sot e kanë nxjerrë nga sirtarët, e kanë kopjuar dhe, përmes ndryshimeve në buxhet, e kanë sjellë si propozim të tyre. Mos mendoni se po e bëjnë nga simpatia, nga empatia apo nga nevoja për të mbështetur këtë grup. Po e bëjnë nga frika e humbjes së pushtetit dhe nga presioni që protesta ka ushtruar mbi qeverinë.

Mbajeni mend: fuqia, bashkimi dhe presioni i qytetarëve e kanë detyruar qeverinë të marrë këtë vendim, ashtu si edhe shumë vendime të tjera. Ky është një shembull se vetëm duke qenë bashkë mund ta rrëzojmë këtë sistem. Vetëm duke ushtruar presion, bashkë, të gjithë. Prandaj sot, më shumë se kurrë, në shesh!", shprehet Tabaku.

jorida tabaku

Lini një Përgjigje