Një valë e re revolte po përfshin Europën Lindore, ku të rinjtë nën moshën tridhjetë vjeç po marrin në dorë fatet e vendeve të tyre, duke sfiduar hapur korrupsionin e elitave politike dhe marrëveshjet klienteliste që cenojnë demokracinë në Serbi dhe Shqipëri.
Një erë e re po fryn nga Lindja, duke sjellë një shpresë që dukej e humbur: angazhimin e vendosur politik të gjeneratës Z. Në Beograd prej dy vitesh dhe në Tiranë prej disa javësh, protesta të mëdha - shpesh të udhëhequra dhe organizuara nga vajza e djem nën moshën tridhjetë vjeç - po mbushin sheshet e Serbisë dhe Shqipërisë.
Me thirrjen “Korrupsioni vret”, serbët fillimisht kanë detyruar dorëheqjen e kryeministrit Miloš Vučević dhe tani presin që të largohet edhe presidenti i Republikës, Aleksandar Vučić, politikan i djathtë populist dhe prorus, i thirrur të japë llogari për një sërë ngjarjesh që, sipas akuzave, kanë ndërtuar një sistem pushteti të errët, të lidhur me interesa klienteliste dhe larg çdo hapjeje demokratike në proceset vendimmarrëse.
Gjithçka nisi më 1 nëntor 2024, kur në Novi Sad, në veri të vendit, u shemb streha e stacionit hekurudhor të saporinovuar. Sipas akuzave të protestuesve, tragjedia ishte pasojë e korrupsionit dhe abuzimeve në procedurat e prokurimit publik. Aksidenti shkaktoi vdekjen e 16 personave.
Prej aty nisi edhe vala e protestave. Nga Novi Sadi, gjenerata Z - të rinjtë që në Europën Perëndimore shpesh duken të distancuar ose të painteresuar për politikën - filloi të organizohej dhe të mbushte sheshet.
Brenda pak javësh mobilizimesh u arrit një rezultat i papritur. Kryeministri Vučević dha dorëheqjen, ndërsa presidenti Vučić vazhdoi të rezistonte, duke mbetur në qendër të një sistemi të akuzuar për mungesë transparence dhe klientelizëm.
Më shumë se një milion njerëz u mblodhën në sheshin Slavija, më i madhi në Beograd, në muajin mars. Në maj numri u dyfishua, duke e shtyrë Vučićin të njoftonte zgjedhje të parakohshme.
Megjithatë, largimi i tij nga pushteti duket ende larg të qenit përfundimtar.
Shumë njerëz e shohin këtë si një lëvizje taktike, një përpjekje për të riorganizuar kontrollin e tij përmes bashkimit të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, pas mbetjes vakant të postit të kryeministrit.
Më në jug, në Shqipëri, marshimi i protestuesve - të rinj dhe jo vetëm - ka nisur nga një tjetër histori simbolike: dhënia për zhvillim e ishullit të Sazanit, në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, një kompanie të lidhur me dhëndrin e Donald Trump.
Ishulli, një zonë e jashtëzakonshme natyrore e njohur për praninë e flamingove, iu dha Affinity Partners, shoqërisë amerikane të kapitalit privat të kontrolluar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit aktual amerikan.
Bëhet fjalë për një investim prej katër miliardë dollarësh për ndërtimin e një resorti turistik me mijëra shtretër, i cili synon ta shndërrojë zonën në një lloj “Maldiveje të Evropës”, sipas fjalëve të kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Si në Beograd, edhe në Tiranë ka shpërthyer protesta. Si në Serbi, edhe në Shqipëri sheshet janë mbushur me njerëz. Arsyeja është e njëjtë: korrupsioni, mungesa e transparencës, pushteti i madh okult i aparatit politik, rrjetet klienteliste të përhapura dhe një çështje morale që përshkon të gjithë sistemin publik.
Edhe në Tiranë, protestat kanë sjellë tashmë pasoja të dukshme politike.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, në stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe shpesh provokues, u është përgjigjur protestuesve që e quajnë “Kumbari” me një shprehje të prerë, dhënë gjatë një interviste për të përditshmen britanike Financial Times: “Shkofshi në djall!”./Pamfleti nga “Il Fatto Quotidiano”
Lini një Përgjigje