
Tirana merr fitoren e parë pas 6 javësh dhe zhyt rivalët e përjetshëm në "zonën e ftohtë" të renditjes. Derbi i 206 në historinë e 2 klubeve historike në Shqipëri i takon bardhebluve
Tirana “zgjohet” pas 6 javësh dhe një gjë të tillë e bën në derbi. Bardheblutë marrin fitoren e parë në këtë sezon në Abissnet Superiore dhe mposhtin me rezultatin e pastër 0-3 Partizanin në derbin e 206 në historinë e dy klubeve.
Skuadra e drejtuar nga Bordin zhbllokoi ndeshjen në minutën e 19, kur një top i gjatë i Soler për Falaje dhe sulmuesi nigerian mposhti me kokë Alban Hoxhën, duke përfituar dhe nga një dalje e gabuar e portierit legjendar të të kuqve.
Tirana dyfishoi shifrat në minutën e 28, Patsatsia u pengua brenda zonës nga Marku, arbitri kryesor i takimit dha penallti për ekipin bardheblu. Sulmuesi gjeorgjian mposhti portierin Alban Hoxha dhe i dha avantazhin e dyfishtë kryeqytetasve.
Pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-2 për Tiranën.
Në minutën e 74, bardheblutë i dhanë “goditjen” finale Partizanit me golin e tretë. Ismajli nxori mirë Tabekun para Qirkos dhe ai nuk gaboi para portës.
Në total, në kampionat dhe Kupë dy skuadrat janë përballur 206 herë, me 81 fitore të Partizanit, 61 fitore të Tiranës dhe 64 barazime. Në total Tirana i ka shënuar 222 herë Partizanit, ndërsa të kuqtë janë përgjigjur me 268 gola, pra 46 më shumë.
Sa i takon kampionatit, skuadrat janë përballur 177 herë. Në këto takime, 73 fitore janë të Partizanit, 48 të Tiranës dhe 57 sfida janë mbyllur në barazim. Ndeshja e parë mes dy skuadrave në histori është zhvilluar në vitin e largët 1947, me Partizanin që fitonte 2-4.
Ndërkohë, sfida e fundit në sezonin e shkuar u mbyll 3-0 në favor të Tiranës me golat e Zharmuni (dopietë) dhe Ernest.
Me këtë fitore, Tirana ngjitet në vendin e 8 m e 5 pikë, ndërsa Partizani zbret në “zonën e ftohtë”, pikërisht në vendin e 9 me 4 pikë.
Lini një Përgjigje