
Parashikimet fillestare për gjendjen e Lautaro Martinez janë konfirmuar nga ekzaminimet mjekësore. Sulmuesi argjentinas ka pësuar një lodhje muskulore në pulpën e këmbës së majtë, dëmtim i marrë gjatë sfidës ndaj Bodo/Glimt, të zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës.
Sipas vlerësimeve të para, Martinez pritet të qendrojë jashtë fushave për të paktën tre javë. Gjendja e tij do të rivlerësohet pas një jave, por aktualisht prania në derbin ndaj Milanit, që luhet më 8 mars, konsiderohet praktikisht e pamundur.
Ky dëmtim përbën një goditje të rëndësishme për sulmuesin dhe për Interin, pasi në skenarin minimal ai do të mungojë në pesë ndeshje. Megjithatë, në varësi të shkallës së dëmtimit muskulor, numri i sfidave të humbura mund të shkojë deri në nëntë.
Aktualisht, Lautaro Martinez nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Kristian Kivu për përballjet ndaj Leçes në kampionat, Bodo/Glimt në ndeshjen e kthimit të Champions League, Xhenoas më 28 shkurt, si dhe ndaj Komos në gjysmëfinalen e parë të Kupës më 3 mars. Derbi me Milanin mbetet në pikëpyetje të fortë, me gjasat që kapiteni zikaltër të mos jetë i gatshëm për supersfidën e kampionatit italian.
Në rast se Interi arrin të përmbysë rezultatin ndaj Bodo/Glimt dhe të sigurojë kalimin në fazën e 1/8-ave të Champions League, kalendari mund të rëndohet edhe më tej, duke shtuar ndeshje të tjera në listën e mundshme të mungesave të argjentinasit.
Një rikthim i mundshëm i Martinez mund të ndodhë në ndeshjen ndaj Atalantës më 15 mars ose ndaj Fiorentinës më 22 mars. Nëse do të jetë i gatshëm për njërën prej këtyre përballjeve, Argjentina mund ta grumbullojë për “Finalissima”-n ndaj Spanjës më 27 mars dhe për miqësoren me Katarin më 31 mars.
Megjithatë, nëse kontrolli i radhës mjekësor konfirmon një dëmtim më serioz, lojtari mund të shfrytëzojë edhe periudhën e ndeshjeve të kombëtareve për rikuperim të plotë. Në këtë skenar, Interi do ta kishte në dispozicion për sfidën e 4 prillit ndaj Romës, ndërsa vendimmarrja do të varet nga evolucioni i gjendjes fizike dhe situata në renditjen e Serisë A.
Lini një Përgjigje