
Portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha, është kthyer në një nga emrat më të komentuar në mediat greke, pas paraqitjeve mbresëlënëse me AEK-un gjatë këtij sezoni. Sipas raportimeve nga Greqia, 30-vjeçari po kalon një nga periudhat më të mira të karrierës së tij.
Moment kulmor ishte ndeshja mes PAOK-ut dhe AEK-ut, ku Strakosha u bë protagonist me një pritje vendimtare të një penalltie, e cilësuar nga mediat si një ndërhyrje në “këndin e pamundur”. Performanca e tij ka marrë vlerësime të shumta dhe ka rritur interesimin ndaj gardianit shqiptar.
Sipas informacioneve që vijnë nga burime pranë mediave helene, trajneri i Koventri Sitit, Frank Lampard, është i interesuar për shërbimet e Strakoshës. Raportohet se tekniku anglez e vlerëson lart portierin shqiptar dhe e konsideron një përforcim të mundshëm për skuadrën e tij.
Megjithatë, Strakosha ka kontratë me AEK-un deri në verën e vitit 2029, çka e bën një transferim të mundshëm të kushtueshëm. Koventri Siti, sipas raportimeve, ka kapacitet financiar për të ndërhyrë në merkato, veçanërisht në një moment kur skuadra është pranë objektivit për t’u ngjitur në Premier Ligë. Pas 32 javësh në Championship, Koventri mban vendin e parë me 62 pikë, duke qenë një nga pretendentët kryesorë për ngjitjen në Premier Ligë.
Një rikthim në futbollin anglez nuk do të ishte i panjohur për Strakoshën. Më herët, ai ka qenë pjesë e Brentfordit në Premier Ligë, përpara se të transferohej në Greqi.
Deri më tani, nuk ka konfirmim zyrtar nga klubet përkatëse lidhur me një ofertë konkrete, ndërsa mbetet për t’u parë nëse interesimi i raportuar do të konkretizohet gjatë merkatos së ardhshme.
Lini një Përgjigje