
Sulmuesi shqiptar Leon Myrtaj është ftuar sërish nga përfaqësuesja U-19 e Hungarisë, duke shtuar dilemat mbi të ardhmen e tij në arenën ndërkombëtare. Talenti 17-vjeçar, i cili aktivizohet me ekipet zinxhir të Totenhemit në Angli, duket gjithnjë e më pranë një zgjedhjeje përfundimtare në favor të Hungarisë.
Vitin e kaluar, Myrtaj veshi fanelën e Shqipërisë U-17, me të cilën regjistroi 7 ndeshje dhe shënoi 1 gol. Megjithatë, në tetor ai zbriti në fushë me përfaqësuesen U-19 të Hungarisë, duke shfrytëzuar të drejtën për të përfaqësuar këtë shtet, pasi nëna e tij është hungareze.
Edhe pse më herët kishte lënë të hapur mundësinë e rikthimit te kuqezinjtë, ftesa e fundit nga Hungaria U-19 shton gjasat që Myrtaj të vijojë rrugëtimin me këtë përfaqësuese, potencialisht deri në ekipin A.
Aktualisht, Myrtaj është pjesë e Totenhemit U-18 dhe po spikat në kampionatin anglez të kësaj grupmoshe, duke u konsideruar një nga talentet premtues në akademinë e klubit londinez.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi përfundimtar i sulmuesit të ri në lidhje me të ardhmen e tij ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje