
Arbër Hoxha është përfshirë në “Formacionin e Javës” në Ligën e Europës, pas paraqitjes së tij në ndeshjet e para të fazës “play-off” të 1/16-ave. Futbollisti shqiptar, i cili aktivizohet me Dinamon e Zagrebit, u vlerësua si një nga më të mirët në fushë, edhe pse skuadra e tij u mposht mbrëmjen e kaluar me rezultatin 1-3 nga Genk.
Sipas platformës së specializuar për statistika “SofaScore”, Hoxha meritoi notën 8.4, një nga më të lartat e kësaj faze, çka i siguroi vendin në 11-shen më të mirë të javës. Vlerësimi vjen si rezultat i performancës individuale të mesfushorit, pavarësisht rezultatit negativ të ekipit.
Në këtë formacion simbolik, Hoxha është përfshirë përkrah emrave të njohur të futbollit europian, mes tyre edhe sulmuesi spanjoll Iago Aspas. Po ashtu, pjesë e përzgjedhjes janë edhe mbrojtësi i Notingham Forest, Murijo, si dhe futbollistët e Shtutgartit, Tomas dhe Khanous.
Përfshirja në “Formacionin e Javës” përbën një tjetër vlerësim për paraqitjet e Hoxhës në arenën ndërkombëtare, duke e vendosur atë mes lojtarëve më të spikatur të kësaj faze të kompeticionit.

Lini një Përgjigje