TAGS-AT E JAVËS

Sport20 Shkurt 2026, 18:57

Tek Atalanta festojnë “flamurin” Gjimshiti, zbulohen milionat që refuzoi për besnikërinë ndaj bergamaskëve

Shkruar nga Pamfleti

Tek Atalanta festojnë “flamurin” Gjimshiti, zbulohen milionat

Berat Gjimshiti ka festuar këtë të enjte 33-vjetorin e lindjes, një moment që nuk ka kaluar pa u vënë re nga klubi i Atalantës dhe mediat sportive në Itali. Mbrojtësi shqiptar konsiderohet tashmë një nga figurat simbol të skuadrës nga Bergamo, ku aktivizohet prej vitit 2016.

Prej afro një dekade, Gjimshiti është shndërruar në një pikë referimi në repartin defensiv të Atalantës. Sipas të dhënave zyrtare, ai ka zhvilluar 319 ndeshje në të gjitha kompeticionet me fanelën zikaltër, duke realizuar 10 gola dhe duke dhënë 10 asistime.

Këto statistika e rendisin atë si lojtarin e tretë me më shumë paraqitje në historinë e afërt të klubit, pas Marten de Run dhe Mario Pashaliç. Mediat italiane e cilësojnë si një “flamur” të vërtetë të Atalantës, për shkak të kontributit dhe qendrueshmërisë ndër vite.

Sipas raportimeve në Itali, pak muaj pasi ngriti trofeun e Ligës së Europës me Atalantën, Gjimshiti mori një ofertë të rëndësishme financiare nga Al Rayyan në Katar.

Klubi nga Lindja e Mesme thuhet se i ka propozuar mbrojtësit shqiptar një kontratë me mbi 6 milionë euro neto në sezon, për ta bindur të ndërpriste marrëveshjen me italianët dhe të transferohej në kampionatin katarian.

Burimet mediatike bëjnë të ditur se Atalanta i la lojtarit lirinë e plotë për të vendosur mbi të ardhmen. Në fund, Gjimshiti zgjodhi të qendrojë në Bergamo, duke refuzuar ofertën financiare dhe duke preferuar vazhdimësinë në klubin që e konsideron si “shtëpinë” e tij sportive.

Me përfundimin e kontratës aktuale këtë verë, Gjimshiti pritet të përballet sërish me një vendim të rëndësishëm për karrierën. Ai do të dalë lojtar i lirë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të nisë një aventurë të re jashtë Italisë apo do të zgjedhë të rinovojë me Atalantën, në atë që mund të jetë kontrata e fundit e karrierës së tij.

Vendimi i tij pritet të ndiqet me interes si nga tifozët bergamaskë, ashtu edhe nga publiku shqiptar, duke qenë se Gjimshiti mbetet një nga emrat më përfaqësues të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

berat gjimshiti atalanta

Lini një Përgjigje