
Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj xhudistit Akil Gjakova, i cili ishte akuzuar për veprën penale “Dhuna në familje”, sipas nenit 248, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Akuza ndaj Gjakovës ishte ngritur më 14 dhjetor 2024, me pretendimin se ai kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sipas njoftimit zyrtar, Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore në Pejë, pas shqyrtimit gjyqësor, e ka liruar të pandehurin A.Gj. nga aktakuza, në përputhje me nenin 363, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK).
Shpenzimet e procedurës penale do të mbulohen nga mjetet buxhetore të gjykatës, ndërsa e dëmtuara, e identifikuar me inicialet S.M., është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në procedurë kontestimore civile.
Arsyetimi i plotë i aktgjykimit do t’u dorëzohet palëve me vendimin e shkruar. Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit, duke e paraqitur ankesën në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Pejë.
Aktgjykimi aktual nuk është i formës së prerë deri në përfundimin e afatit për ankesë apo vendimmarrjen eventuale nga instanca më e lartë.
Lini një Përgjigje