TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Korrik 2026, 08:38

Kuvendi "blindon" hyrjet me gardh metalik, deputetët e PS shmangin protestuesit; shkojnë më herët në seancë

Shkruar nga Pamfleti

Kuvendi "blindon" hyrjet me gardh metalik, deputetët e PS

Pak para nisjes së seancës plenare dhe protestës së paralajmëruar para Kuvendit, hyrja kryesore e Parlamentit është rrethuar me gardh metalik, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë në të gjithë perimetrin.

Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, është bllokuar zona e pedonales dhe Kalasë së Tiranës, ku kalimi lejohet vetëm për deputetët dhe personat e autorizuar.

Në orën 10:00 pritet të nisë edhe tubimi i radhës i protestuesve, të cilët do të mblidhen sërish para Kuvendit për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë. Protesta zhvillohet vetëm pak ditë pas tensioneve të regjistruara në tubimin e fundit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë.

Ndërkohë, disa deputetë të Partisë Socialiste janë parë të hyjnë në ambientet e Parlamentit që në orët e para të mëngjesit, përpara nisjes së protestës. Në pamje dallohen ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, si dhe deputetja Lindita Nikolla.

Mbetet për t'u parë nëse protesta e sotme do të zhvillohet pa incidente apo do të shoqërohet me tensione, siç ndodhi në tubimet e mëparshme.

 

protestë kuvend gardh

Lini një Përgjigje