TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Mars 2026, 22:44

Spektakël bardhezi, Juventusi i jep fund “thatësirës” prej 4 ndeshjesh pa fitore; ‘Zonja e Vjetër’ mposht Pizën me poker

Shkruar nga Pamfleti

Spektakël bardhezi, Juventusi i jep fund “thatësirës”

Juventusi i ka dhënë fund serisë prej katër javësh pa fitore në Serinë A, duke u rikthyer te tre pikët me një fitore bindëse 4-0 ndaj Pizës në “Allianz Stadium”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të të kampionatit.

Pjesa e parë e takimit ishte e vakët dhe pa raste të rrezikshme për gol nga të dyja skuadrat, me lojën që u zhvillua kryesisht në mesfushë.

Gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë, ku bardhezinjtë dominuan plotësisht. Zhbllokimi i rezultatit erdhi në minutën e 54-të pas një aksioni të ndërtuar bukur nga Françisko Konseisao, Kenan Jilldiz dhe Andrea Kambiaso. Ky i fundit përfundoi aksionin me një goditje me kokë, duke dërguar topin në rrjetë.

Juventusi dyfishoi shifrat në minutën e 65-të. Fillimisht, goditja e Manuel Lokatelit u ndal nga shtylla, por në tentativën e dytë Kefren Turam reagoi shpejt dhe e dërgoi topin në kuadrat për golin e dytë.

Në minutën e 75-të ishte radha e Kenan Jilldiz për të shënuar, duke realizuar golin e tretë me një goditje të saktë brenda zonës. Ndërsa në minutën e fundit shtesë, Zheremi Boga vulosi rezultatin përfundimtar 4-0 për Juventusin.

Në këtë takim nuk pati minuta për Edon Zhegrovën.

Me këtë fitore, Juventusi ngjitet në vendin e gjashtë në renditjen e Serisë A me 50 pikë, një pikë më pak se Roma dhe Komo që renditen më lart. Ndërkohë, Piza vazhdon formën negative dhe mbetet në zonën e rënies me vetëm 15 pikë.

juventus seria a piza

Lini një Përgjigje