TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Mars 2026, 21:05

Do të përballen në finalen e Kupës së Mbretit, i padëshiruari i Juventusit i jep fitoren Atletikos ndaj Sociedadit

Shkruar nga Pamfleti

Do të përballen në finalen e Kupës së Mbretit, i

Atletiko e Madridit dhe Real Sociedad janë skuadrat që do të luajnë në finalen e Kupës së Mbretit, por përpara se të diskutojnë trofeun e dytë për nga rëndësia në futbollin spanjoll, këto dy skuadra matën forcat mes tyre në kampionat, në sfidën e vlefshme për javën e 27.

Madrilenët morën një fitore të rëndësishme 3-2 në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Metropolitano”. Përballja dhuroi ritëm dhe emocione deri në minutat e fundit.

Skuadra mike kaloi e para në avantazh që në minutën e 5-të. Aleksandër Shorloth shfrytëzoi një rivënie të gjatë anësore dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke surprizuar mbrojtjen e Atletikos së Madridit.

Reagimi i vendasve erdhi shpejt. Në minutën e 9-të, Karlos Soler barazoi shifrat me një goditje të bukur me të majtën nga brenda zonës, pas asistit të Luka Suçiç. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-1.

Pjesa e dytë rezervoi momentet më vendimtare të takimit. Në minutën e 67-të, pas një kombinimi të bukur në sulm, Antoin Grizman asistoi me një finte për Nikolas Gonzalez, i cili e dërgoi topin në rrjetë duke rikthyer avantazhin për Atletikon e Madridit.

Niko Gonzales është i huazuar tek Atletiko nga Juventusi, ndërsa te “Zonja e Vjetër” u konsiderua i “padëshiruar”. 

Megjithatë, reagimi i Real Sociedadit ishte i menjëhershëm. Vetëm një minutë më vonë, në të 68-ën, Mikel Ojarzabal realizoi një gol të bukur nga kufijtë e zonës së rreptësisë, duke barazuar shifrat në 2-2.

Goli i fitores për skuadrën madrilene erdhi në minutën e 81-të. Nikolas Gonzalez shënoi sërish, këtë herë me kokë, pas një krosimi të saktë të Mateo Ruxheri.

Me këtë fitore, Atletiko e Madridit ngjitet në kuotën e 54 pikëve dhe mban vendin e tretë në renditjen e La Ligës. Nga ana tjetër, Real Sociedad mbetet në vendin e tetë me 35 pikë.

atletiko madrid real sociedad la liga

Lini një Përgjigje