TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Korrik 2026, 17:06

Vrau kamarierin te lokali i Gjergj Lucës, Erjon Llapushi sulmon drejtësinë: Vepruan me dy standarde

Shkruar nga Pamfleti
Vrau kamarierin te lokali i Gjergj Lucës, Erjon Llapushi sulmon
Erjon Llapushi & kamarieri që humbi jetën

Erjon Llapushi, i dënuar në mungesë për vrasjen e kamarierit Gazment Kurmaku, ka dalë me një deklaratë të gjatë publike, ku kundërshton dënimin për veprën penale “vrasje me dashje”.

Ai u dënua me 17 vite burg nga gjykata për ngjarjen që ndodhi në lokalin e Gjergj Lucës. Në tetor të vitit 2021, Llapushi goditi me grusht kamarierin e “Rozafa Fish City”, i cili më pas u përplas te cepi i tavolinës dhe pas disa ditësh ndërroi jetë. Për habi deri më sot vetë Gjergj Luca nuk ka thënë gjysmë fjale për këtë ngjarje.

Në deklaratën e tij, Llapushi shprehet se nuk mohon tragjedinë dhe humbjen e jetës së viktimës, por këmbëngul se nuk ka pasur asnjëherë qëllim për të vrarë. Sipas tij, ngjarja ka qenë pasojë e një goditjeje të vetme me grusht, pa armë, pa planifikim dhe pa konflikt të mëparshëm.

Unë jam dënuar për vrasje me dashje. Për një ngjarje ku ka pasur vetëm një goditje me grusht. Nuk ka pasur armë. Nuk ka pasur thikë. Nuk ka pasur sende të forta. Nuk ka pasur plan. Nuk ka pasur pritë. Nuk ka pasur konflikt të mëparshëm. Nuk ka pasur njohje të mëparshme. Nuk ka pasur qëllim për të vrarë. Unë nuk po them se nuk ka ndodhur tragjedi. Ka ndodhur. Dhe ajo tragjedi do të më rëndojë gjithë jetën. Por unë po them se nuk kam vrarë me dashje. Dashja nuk shpiket. Dashja provohet,” shprehet Llapushi.

Ai thotë se nuk kërkon mëshirë, por drejtësi, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është kualifikuar akuza ndaj tij.

Unë nuk kërkoj mëshirë. Kërkoj drejtësi. Nuk kërkoj favor. Kërkoj të njëjtin standard si çdo qytetar tjetër. Familja e të ndjerit, me gjithë dhimbjen e saj, ka pranuar normalizimin e marrëdhënieve me familjen time. Kjo është bërë me akt noterial. Kjo nuk e kthen jetën pas. Nuk e fshin dhimbjen. Nuk e zhduk tragjedinë. Por tregon diçka shumë të rëndësishme: ata që kishin dhimbjen më të madhe pranuan normalizimin”, deklaron ai.

Llapushi ngre akuza edhe për mënyrën se si është ekspozuar publikisht nga Policia e Shtetit, duke pretenduar se është trajtuar si një nga personat më të rrezikshëm në vend.

Policia e Shtetit më vendosi publikisht mes pesë personave më të kërkuar në Shqipëri. Unë pyes sot publikisht: A isha unë rreziku më i madh për këtë vend? A isha unë njeriu që duhej të paraqitesha si armik publik? Si ka mundësi që emra të rëndë, të përfolur për krime, për lidhje kriminale, për pasuri të dyshimta dhe për ndikim mbi shtetin, shpesh nuk preken, ndërsa mua më nxorën para gjithë Shqipërisë si një nga më të rrezikshmit?”, thuhet në deklaratë.

Ai kërkon gjithashtu verifikim për rolin e institucioneve në hetim dhe gjykim, duke pretenduar se procesi ndaj tij ka pasur ashpërsi të pazakontë.

Çështja ime fillimisht u regjistrua për plagosje. Më pas, pasi çështjen e mori në hetim prokurori Kreshnik Ajazi, akuza mori drejtimin më të rëndë: vrasje me dashje. Nga ai moment, familja ime ka ndjerë një intensitet të pazakontë, një këmbëngulje të pazakontë dhe një ashpërsi që nuk përputhej me rrethanat reale të ngjarjes. Ne kemi arsye serioze të kërkojmë verifikim institucional,” shprehet Llapushi.

Në deklaratë, ai ndalet edhe te pretendimi për përgjimin e banesës së familjes së tij, duke thënë se janë cenuar edhe bashkëshortja dhe fëmijët e mitur.

Një tjetër plagë e rëndë për familjen time është përgjimi në banesë. Në atë banesë nuk jetonte vetëm një emër në dosje. Aty jetonte gruaja ime. Aty jetonin katër fëmijët e mi të mitur. Kur shteti hyri aty, nuk hyri vetëm në jetën time. Hyri në zemër të familjes sime. Hyri në dhomën ku flinin fëmijët e mi. Hyri në jetën e gruas sime. Dhe sot unë pyes: Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë?”, thotë ai.

Në fund, Llapushi përsërit se nuk kërkon t’i shmanget përgjegjësisë, por kërkon që çështja e tij të trajtohet sipas ligjit dhe rrethanave reale.

llapushi gjergj luca kamarieri

Lini një Përgjigje