Këngëtarja Aurela Gaçe ka reaguar pas thirrjeve në rrjetet sociale për bojkotimin e koncertit të saj në Shkodër, duke i cilësuar sulmet ndaj saj si të papranueshme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gaçe u shpreh se është "bijë e popullit" dhe se nuk ka qenë kurrë pjesë e administratës shtetërore apo e fushatave elektorale.
"Unë jam bijë e popullit. Jam krah tij edhe me vepra. Ndaj kujdes kur të marrësh foton e dikujt që nuk ka punuar kurrë në shtet, nuk merr rrogë askund ku cenohen taksat e popullit dhe nuk ka pranuar kurrë të jetë pjesë e fushatave elektorale", shkruan ajo.
Artistja theksoi se protesta e saj është e dukshme në qëndrimet që ka mbajtur ndër vite, ndërsa sqaroi se nuk ka përfituar asnjëherë fonde apo tendera publikë.
"Unë jam person publik, por privat. Nuk jam pjesë e rrogëtarëve në shtet, nuk kam marrë kurrë një tender dhe nuk kam marrë pjesë në fushata, pavarësisht pagesave të majme", u shpreh Gaçe.
Në fund të reagimit, këngëtarja kritikoi përdorimin e imazhit të saj në thirrjet për bojkot, duke e cilësuar këtë veprim si një formë dhune.
"Të marrësh foton e dikujt e ta bësh tabelë qitjeje për qëllimet e tua, që dyshoj se janë të pastra, është e papranueshme. Kjo që bëni është dhunë", përfundon reagimi i saj.
Lini një Përgjigje