
Çelsi është skuadra e radhës që siguron një vend në çerekfinalet e FA Cup. Londinezët u përballën me një rezistencë të fortë në transfertë ndaj Urexham, në një ndeshje që u vendos vetëm pas kohës shtesë, pasi 90 minutat e rregullta përfunduan në barazim 2-2.
Takimi nisi me ritëm të lartë dhe vendasit kaluan në avantazh në minutën e 18-të me golin e Sem Smith. Reagimi i Çelsit erdhi relativisht shpejt, kur një goditje e Alehandro Garnaços përfundoi në rrjetë pas një autogoli të portierit Artur Okonkuo, duke vendosur baraspeshën në 1-1 deri në fundin e pjesës së parë.
Momentet më emocionuese të kohës së rregullt erdhën në 10 minutat e fundit. Në minutën e 79-të, Kollum Dojle shënoi për Urexham, duke rikthyer avantazhin për vendasit dhe duke ndezur entuziazmin në stadium.
Megjithatë, Çelsi reagoi shpejt. Mbrojtësi i ri Josh Açeampong barazoi shifrat me një goditje të fortë brenda zonës, duke çuar rezultatin në 2-2.
Në minutat shtesë të kohës së rregullt, Urexham mbeti me një lojtar më pak, pasi mesfushori Xhorxh Dobson u ndëshkua drejtpërdrejt me karton të kuq për një ndërhyrje të rrezikshme ndaj Garnaços. Ndeshja u drejtua më pas drejt kohës shtesë.
Në minutën e 96-të, Alehandro Garnaço realizoi golin e tretë për Çelsin, pas një krosimi të Dario Esugo, duke i dhënë epërsinë londinezëve.
Urexham mendoi se kishte barazuar në minutën e 114-të, kur Luis Brant shënoi me kokë pas një goditjeje nga këndi. Megjithatë, pas rishikimit me VAR, goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Në minutat e fundit të ndeshjes, Zhoao Pedro vulosi fitoren 4-2 për Çelsin, duke konfirmuar kualifikimin e skuadrës londineze në çerekfinalet e FA Cup, ku i bashkohet Liverpulit dhe Arsenalit, që kanë siguruar më herët vendin në këtë fazë.
Lini një Përgjigje