
Teksa na ndan rreth një muaj nga përballja me Poloninë, e cilësuar si një nga sfidat më të rëndësishme për Kombëtaren shqiptare, lajmet që vijnë nga Anglia për Armando Brojën nuk janë inkurajuese.
Sulmuesi kuqezi rrezikon seriozisht të mungojë në ndeshjen e 26 marsit, pasi nuk pritet të rikthehet në fushë edhe për disa javë. Konfirmimi ka ardhur nga trajneri i Bërnlit, Skot Parker, i cili foli para sfidës ndaj Brentfordit.
“Armando sapo ka dalë nga disa injeksione, kështu që është thjesht në nivel të ulët për momentin. Ai do të rifillojë punën e tij, por do të jetë edhe disa javë larg fushave”, deklaroi Parker.
Aktualisht, Broja ndodhet larg formës së tij optimale. Mungesa e minutave në këmbë dhe trajtimi me injeksione shtojnë pikëpyetjet mbi gatishmërinë e tij për sfidën ndaj Polonisë. Nuk ka ende një afat të saktë për rikuperimin e plotë të sulmuesit, çka e vështirëson edhe më shumë situatën.
Këto zhvillime vendosin në pozitë të ndërlikuar trajnerin e Kombëtares, Silvinjo. Tekniku brazilian ka theksuar vazhdimisht se në përfaqësuese do të thirren lojtarët që janë në formë dhe që aktivizohen rregullisht me klubet e tyre. Në rastin e Brojës, zbatimi i këtij parimi duket më i vështirë, duke marrë parasysh rëndësinë që ka sulmuesi në skemat e ekipit.
Ndërkohë, konkurrenca në repartin ofensiv është rritur ndjeshëm. Ernest Muçi dhe Anis Mehmeti po kalojnë një moment pozitiv me klubet e tyre, ku aktivizohen si titullarë dhe janë protagonistë me gola.
Të dy futbollistët nuk janë grumbulluar prej afro dy vitesh në Kombëtare, por forma e tyre aktuale mund të ndikojë në vendimet e stafit teknik për ndeshjen ndaj Polonisë.
Lini një Përgjigje