
Ivan Rakitiç duket se i ka sjellë fat ish-skuadrës së tij, Barcelonës, në shortin e Ligës së Kampionëve. Kroati, i cili gjatë periudhës së tij me katalanasit fitoi 13 trofe, ishte i ftuar në ceremoninë e shortit të zhvilluar sot në Nion të Zvicrës.
Gjatë momentit të përzgjedhjes së goglave, Rakitiç zgjodhi atë ku ndodhej emri i Barcelonës. Pas zbulimit se skuadra katalanase nuk do të përballet me PSG-në, por me Njukasëllin, ish-mesfushori u pa duke buzëqeshur.
Reagimi i tij u interpretua si shenjë kënaqësie për shortin relativisht më të favorshëm të Barcelonës. Njëkohësisht, në media u komentua edhe shorti më i vështirë i Realit të Madridit, çka shtoi kontrastin mes dy rivalëve spanjollë në këtë fazë të kompeticionit.
Shorti i hedhur në Nion përcaktoi kështu përballjet e radhës në Champions, duke rritur pritshmëritë për duele interesante në fazën eliminatore.
Lini një Përgjigje