
Vëmendja e opinionit sportiv ishte e përqendruar këtë të premte në mesditë te shorti i UEFA Champions League, i cili përcaktoi çiftet e fazës së 1/16-ave. Goglat rezervuan disa përballje të forta, ku spikat dueli mes Real Madrid dhe Mançester Siti, një sfidë që vitet e fundit është kthyer në një “klasike” të futbollit evropian.
Në këtë fazë, tetë skuadra u kualifikuan direkt: Arsenali, Bajerni i Mynihut, Liverpuli, Totenhemi, Barcelona, Çelsi, Sportingu dhe Mançester Siti. Ndërkohë, nga faza “play-off” siguruan biletën për më tej Atalanta, PSG-ja, Gallatasaraji, Reali i Madridit, Njukasëlli, Atletiko e Madridit, Bajer Leverkusen dhe Bodo/Glimt.
Reali i Madridit do të përballet me Mançester Sitin në një duel që pritet të jetë ndër më të fortët e kësaj faze. Dy skuadrat janë ndeshur shpesh në sezonet e fundit, duke prodhuar përballje spektakolare dhe me intensitet të lartë.
Nga ana tjetër, PSG do të vijojë misionin për mbrojtjen e titullit, teksa në 1/16 do të ketë përballë Çelsin. Një tjetër sfidë interesante është ajo mes Gallatasarajit dhe Liverpulit, një “remake” i takimit të fazës së ligës, ku skuadra turke kishte fituar minimalisht 1-0.
Atalanta, skuadra e vetme italiane e mbetur në garë në këtë fazë, do të përballet me Bajernin e Mynihut. Për mbrojtësin shqiptar Berat Gjimshiti dhe ekipin e tij, kjo konsiderohet një sfidë mjaft e vështirë përballë kampionëve bavarezë.
Barcelona, në letër, duket se ka një përballje më të favorshme, pasi do të ndeshet me anglezët e Njukasëllit. Ndërkohë, Bodo/Glimt do të tentojë të vijojë surprizën e këtij sezoni në Champions League, përballë Sportingut të Lisbonës.
Takimet e para të fazës së 1/16-ave do të zhvillohen më 10 dhe 11 mars, ndërsa ndeshjet e kthimit janë planifikuar për datat 17 dhe 18 mars.
Ndeshjet e plota të fazës së 1/16 në Champions League:
1-Real Madrid-Mançester Siti
2-Bodo Glimt-Sporting Lisbonë
3-PSG-Çelsi
4-Njukasëll Barcelona
5-Gallatasaraji-Liverpul
6-Atletiko Madrid-Totenhem
7-Atalanta-Bajern Mynih
8-Bajer Leverkusen-Arsenal
Njëra rrugë deri në finale
PSG-Çelsi vs Gallatasaraj – Liverpul
Real Madrid – Mançester Siti vs Atalanta – Bajern Mynih
Rruga tjetër deri në finale
Njukasëll – Barcelona vs Atletiko Madrid – Totenhem
Bodo/Glimt – Sporting Lisbonë vs Leverkusen – Arsenal

Lini një Përgjigje