
Arbër Hoxha nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e sotme të Dinamos së Zagrebit, ndërsa mungesa e tij vjen në prag të takimit të kthimit ndaj Genk në Ligën e Europës. Sipas raportimeve në mediat kroate, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka shfaqur dhimbje shpine.
Për shkak të këtij shqetësimi fizik, Hoxha nuk do të jetë i disponueshëm as në stol për transfertën në Belgjikë. Në ndeshjen e parë ndaj Genk, ai u aktivizua si titullar, por u zëvendësua gjatë pjesës së dytë.
Dinamo e Zagrebit u mposht 1-3 në takimin e zhvilluar në Kroaci, çka i vështirëson ndjeshëm shanset për kualifikim në fazën e 1/8-ave të Ligës së Europës. Përmbysja e rezultatit në transfertë mbetet një objektiv i vështirë për skuadrën kroate.
Mungesa e Hoxhës përbën gjithashtu një shqetësim për Kombëtaren shqiptare, në një moment kur afrohet përballja me Poloninë. Trajneri Silvinjo dhe stafi i tij po përgatisin skuadrën për ndeshjen gjysmëfinale, e vlefshme për kualifikimin në Kupën e Botës. Gjendja fizike e sulmuesit pritet të ndiqet me kujdes në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje