
Atalanta mbetet përfaqësuesja e vetme e Italisë në këtë sezon të Ligës së Kampionëve, pasi arriti një përmbysje spektakolare ndaj Borusias së Dortmundit. Skuadra e drejtuar nga Paladino fitoi 4-1 në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në shtëpi, duke përmbysur humbjen 2-0 të pësuar në transfertë.
Takimi u vendos në çastet e fundit, me golin e kualifikimit që erdhi në minutën e 98-të. Samarxhiç u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar penalltinë e fituar nga Krstoviç. Ky i fundit u përplas në zonë në përpjekje për të arritur topin, duke siguruar një mundësi vendimtare për skuadrën e tij.
Pas ndeshjes, trajneri Paladino vlerësoi publikisht kontributin e sulmuesit, duke theksuar rolin e tij në momentin kyç të sfidës.
“Dua të bëj një duartrokitje të madhe, bëjeni ju, për një lojtar që, shikoni këtu, u hodh mbi topin e fundit. Për Krstoviçin, që u hodh mbi topin e fundit dhe fitoi një penallti”, u shpreh Paladino në dhomën e zhveshjes.
Ndërkohë, mbrojtësi shqiptar Berat Gjimshiti e nisi sërish takimin nga stoli. Kapiteni i Kombëtares shqiptare nuk është aktivizuar si titullar në ndeshjet e fundit të Atalantës, duke humbur vendin në formacionin bazë.
Lini një Përgjigje