TAGS-AT E JAVËS

Sport26 Shkurt 2026, 17:28

Interi pagoi mungesën e konkretizimit të golave, media italiane: Bodo na mundi me strategjitë tona

Shkruar nga Pamfleti

Interi pagoi mungesën e konkretizimit të golave, media italiane: Bodo

Fraza e njohur e trajnerit Bruno Pesaola, “na vodhën idenë”, duket se i përshtatet asaj që ndodhi në përballjen mes Interit dhe Bodos në “San Siro”. Ndërsa opinioni publik ka theksuar forcën, organizimin dhe disiplinën e skuadrës norvegjeze, analiza e ndeshjes tregon një panoramë më të nuancuar.

Bodo u shfaq si një ekip kompakt, i përqendruar kryesisht në mbrojtje dhe në kundërsulme. Loja e tij ishte e ndërtuar mbi rezistencën dhe shfrytëzimin e hapësirave, një qasje që dikur karakterizonte shumë skuadra italiane të dekadave të kaluara.

Nga ana tjetër, Interi dominoi në posedim dhe në statistika. Zikaltërit krijuan volum loje, fituan 16 goditje nga këndi kundrejt vetëm një për kundërshtarin dhe tentuan vazhdimisht drejt portës, por pa arritur të shënojnë. Në momentin e duhur, Bodo goditi në kundërsulm, duke përfituar nga mungesa e konkretizimit të vendasve.

Defektet e Interit dhe dilemat e futbollit italian

1. Ndërtimi nga mbrojtja dhe rreziqet e tij

Një prekje e pasaktë e Akanzhit rezultoi vendimtare. Episodi mund të konsiderohet një gabim individual, por ai hap një reflektim më të gjerë mbi tendencën e skuadrave italiane për të ndërtuar lojën nga prapa, shpesh si imitimi i modeleve të huaja. Interi i drejtuar nga Kristian Kivu e aplikon më pak këtë filozofi krahasuar me epokën e Simone Inzagit, por rreziku mbetet prezent.

2. Intensiteti i ulët në Serinë A

Ndeshja ngre pikëpyetje mbi nivelin e intensitetit në kampionatin italian. Sipas analizave të vazhdueshme, ritmi i shumë takimeve në Serinë A është më i ulët krahasuar me Premier Ligën apo La Ligën. Ky faktor mund të ndikojë në vështirësitë që hasin skuadrat italiane në arenën evropiane, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë taktik.

3. Identiteti i humbur mbrojtës

Italia ka ndërtuar historikisht sukseset e saj mbi një mbrojtje solide. “Muri i Berlinit” në Botërorin 2006, Interi i Zhoze Murinjos në triumfin e Champions League 2010, apo edhe suksesi në “EURO 2020”, ishin të bazuara në organizim defensiv dhe siguri në prapavijë. Sot, sipas kritikëve, futbolli italian nuk mbrohet më si dikur, por as nuk arrin të imitojë plotësisht modelet sulmuese të kampionateve të tjera.

Në këtë kontekst, performanca e Bodos shërben si shembull: një skuadër që, pa pretenduar dominim estetik, zbatoi me përpikëri një plan loje pragmatik dhe efikas. “Na vodhën idenë”, do të thoshte Pesaola – një ide që dikur ishte markë e futbollit italian.

bodo glimt inter

Lini një Përgjigje