TAGS-AT E JAVËS

Sport26 Shkurt 2026, 15:57

A po bëhet gati Jurgen Klop për Realin e Madridit? Red Bull mohon gjithçka pavarësisht “dritës jeshile” nga Austria

Shkruar nga Pamfleti

A po bëhet gati Jurgen Klop për Realin e Madridit? Red Bull mohon

Në Austri është raportuar për një ndryshim të mundshëm në të ardhmen e Jurgen Klop në strukturat e Red Bull, por drejtuesit e kompanisë kanë mohuar zyrtarisht këto pretendime.

Sipas të përditshmes austriake “Salzburger Nachrichten”, trajneri gjerman, 58 vjeç, pritet të largohet nga posti i tij si përgjegjës global në departamentin e futbollit të Red Bull, vetëm një vit pas marrjes së kësaj detyre.

Gazeta shkruan se misioni i Klop ishte t’i jepte një shtysë rritjes sportive të klubeve në pronësi të grupit Red Bull, me synimin për t’i kthyer ato në pretendente serioze për tituj. Sipas raportimit, evoluimi i deritanishëm nuk ka përmbushur pritshmëritë e brendshme, çka do t’i hapte rrugë një largimi të parakohshëm të tij nga posti drejtues.

Gjithnjë sipas “Salzburger Nachrichten”, Red Bull nuk do ta pengonte Klopp-in që në verë të rikthehej në pankinë si trajner. Madje, raportohet se është identifikuar edhe një pasues i mundshëm: Oliver Glasner, aktualisht trajner Kristal Palas, i cili pritet të largohet nga klubi londinez në fund të sezonit. Glasner, që ka një të kaluar në strukturat e Red Bull, thuhet se do ta shihte me interes marrjen e këtij funksioni.

Nga ana tjetër, Shefi Ekzekutiv i Red Bull, Oliver Mintzlaff, i ka përgënjeshtruar publikisht këto raportime.

Është një budallallëk dhe totalisht i pabazë. Është krejtësisht e kundërta; ne jemi shumë të kënaqur me punën e Jurgen Klop. Ai investon shumë, është vazhdimisht në kontakt me trajnerët dhe drejtorët sportivë dhe po zhvillon në mënyrë të qëndrueshme filozofinë tonë futbollistike. Jemi të bindur se është personi i duhur për këtë post. Këtu përqendrohet i gjithë fokusi dhe energjia jonë”, deklaroi Mintzlaff.

Zyrtarët e kompanisë kujtojnë gjithashtu se kontrata e Klop me Red Bull është e vlefshme deri në vitin 2029.

Pavarësisht përgënjeshtrimeve, zërat për një rikthim të mundshëm të Klop në pankinë janë shtuar. Emri i tij është lidhur prej kohësh me Real Madridin, edhe pse nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga palët e përfshira.

Aktualisht, situata mbetet në nivel raportimesh mediatike dhe deklaratash zyrtare kontradiktore, ndërsa e ardhmja e trajnerit gjerman në strukturat e Red Bull vazhdon të jetë objekt spekulimesh.

jurgen klop trajneri gjerman red bull real madrid

Lini një Përgjigje