
Shqipëria U-17 ka regjistruar një tjetër rezultat pozitiv, duke fituar ndeshjen e dytë miqësore ndaj Letonisë me rezultatin 2-0. Takimi u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku skuadra e drejtuar nga trajneri Armand Dama tregoi kontroll dhe efikasitet në pjesën e dytë.
Tekniku e nisi ndeshjen me këtë formacion: Simon Lleshi në portë, ndërsa në mbrojtje dhe mesfushë aktivizoi Jonas Nushi, Sebastian Amataj, Dennis Ettore Pierro, Kostantinis Varesi, Mattias Allasufi, Armend Muslika (kapiten), Francesko Matjani, Delis Gjeci, Elson Himallari dhe Dion Vata.
Në pjesën e parë, kuqezinjtë dominuan lojën dhe krijuan disa raste të mira për shënim, por nuk arritën të konkretizonin përpjekjet e tyre. Loja u karakterizua nga kontrolli territorial dhe organizimi i mirë i skuadrës shqiptare.
Avantazhi erdhi në fillimin e pjesës së dytë. Në minutën e 48-të, Françesko Matjani finalizoi me sukses një aksion të ndërtuar mirë, duke kaluar Shqipërinë në epërsi.
Skuadra shqiptare vijoi të ruante ritmin dhe kontrollin e lojës, ndërsa në minutën e 84-të ishte Françesko Kiço ai që dyfishoi rezultatin, duke vulosur fitoren 2-0.
Kjo përballje miqësore shërbeu si një test i rëndësishëm për Shqipërinë U-17 dhe stafin teknik, në kuadër të përgatitjeve për aktivitetet e ardhshme ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje