
Shqipëria ka siguruar medaljen e parë në Kampionatin Europian të Mundjes për të rritur, që po zhvillohet në sallën sportive “Feti Borova” në Tiranë. Mundësi Islam Dudaev arriti të kualifikohet në finalen e peshës 65 kg, stili i lirë, duke garantuar të paktën medaljen e argjendtë për ekipin kuqezi.
Në gjysmëfinale, 31-vjeçari mundi me rezultatin 4-0 rusin Islam Guseinov, në një përballje ku dominoi në tapet nga fillimi deri në fund. Dudaev realizoi nga dy pikë në secilin raund, duke ruajtur epërsinë dhe kontrollin e ndeshjes.
Më herët gjatë ditës, ai kishte kaluar me sukses edhe dy raunde të tjera:
Në ndeshjen e parë fitoi 6-1 ndaj turkut Ahmet Duman
Në çerekfinale triumfoi 3-1 ndaj gjeorgjianit Nika Zakashvili
Me këtë fitore, Dudaev siguron një vend në finalen e madhe, ku do të përballet me rusin Bashir Magomedov. Ndeshja është planifikuar të zhvillohet pasditen e së shtunës.
Rezultati i finales do të përcaktojë nëse Shqipëria do të fitojë medaljen e artë apo të argjendtë në këtë kategori.
Lini një Përgjigje