TAGS-AT E JAVËS

Sport24 Prill 2026, 16:38

Qeveria nuk u ndahet stadiumeve me kullë, i hap rrugë projektit për ndërtimin e “Selman Stermasit” (Foto)

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria nuk u ndahet stadiumeve me kullë, i hap rrugë projektit

Stadiumi “Selman Stërmasi”, një nga impiantet historike sportive të kryeqytetit, pritet t’i nënshtrohet një procesi rindërtimi dhe rijetëzimi, pas vendimeve të fundit të qeverisë që i hapin rrugë nisjes së projektit.

Qeveria ka miratuar ndryshime në vendimin për transferimin e pronave shtetërore te Koorporata e Investimeve Shqiptare (KISH), duke i dhënë kësaj të fundit kompetencat për zhvillimin e projektit. Paralelisht, është shpallur gara për ndërtimin e stadiumit të ri, në bashkëpunim me sektorin privat, me synimin për një investim të konsiderueshëm në infrastrukturën sportive dhe urbane.

Zhvillimi i projektit dhe dimensioni urban

Megjithëse gara është shpallur për stadiumin, projekti përfshin një sipërfaqe shumë më të gjerë, rreth 57 mijë metra katrorë truall, me mundësi ndërtimi deri në 120 mijë metra katrorë mbi tokë.

Kjo nënkupton se ndërhyrja nuk kufizohet vetëm tek impianti sportiv, por prek të gjithë zonën përreth, e cila deri më tani ka qenë relativisht e paprekur nga zhvillimet intensive urbane. Sipas dokumenteve, projekti synon të shumëfishojë funksionet e pronës, duke përfshirë edhe aktivitete tregtare, krahas atyre sportive dhe sociale.

Nga zonë e konservuar në potencial ndërtimi

Zanafilla e këtij transformimi daton që në vitin 2019, kur Bashkia e Tiranës ndryshoi Planin e Përgjithshëm Vendor, duke e kaluar zonën nga statusi i konservuar në një hapësirë të hapur për zhvillim.

Më pas, në vitin 2022, një pjesë e zonës u riklasifikua për banim, duke krijuar mundësi konkrete për ndërtim, përfshirë projekte të tilla si një kullë 9-katëshe nga një kompani private.

Paralele me “Arenën Kombëtare” dhe dyshime për kulla

Specifikimet e projektit kanë nxitur krahasime me “Arenën Kombëtare”, e cila përfshin një kullë dhe hapësira të shumta tregtare. Kritikët shprehin shqetësimin se edhe “Selman Stërmasi” mund të ndjekë të njëjtin model, duke i dhënë përparësi zhvillimit komercial në raport me funksionin sportiv.

Gara dhe kriteret: konkurrencë e kufizuar?

Procesi i përzgjedhjes së investitorit ka ngritur pikëpyetje për transparencën dhe konkurrencën. Afati prej 30 ditësh për aplikim, që përkon me periudhën e festave të fundvitit, si dhe kriteret e forta financiare dhe teknike, mund të kufizojnë pjesëmarrjen.

Sipas dokumenteve, kompanitë duhet të dëshmojnë kapacitete financiare të konsiderueshme dhe përvojë në projekte të ngjashme, çka redukton numrin e operatorëve potencialë. Në këtë kontekst, përmenden si të favorizuar kompani me eksperiencë të mëparshme në projekte të mëdha sportive.

Qeveria nuk u ndahet stadiumeve me kullë, i hap rrugë projektit

Paqartësi për klubet dhe përdorimin e stadiumit

Një tjetër element i paqartë lidhet me të ardhmen e klubeve që përdorin stadiumin. Dokumentet nuk ofrojnë garanci për Tiranën apo Dinamon, duke lënë rolin e tyre të hapur për negociata pas përzgjedhjes së investitorit.

Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka transferuar pronësinë te Koorporata e Investimeve, duke mbajtur një rol më të tërhequr në proces.

 

selman stermasi stadiumi i kryeqytetit

Lini një Përgjigje