Dinamo, kampione në fuqi, arriti të sigurojë finalen e Kupës së Shqipërisë pasi mposhti të enjten 0-1 Vllazninë në Shkodër. Goli i shënuar nga Dejvi Bregu në kundërsulm i dha suksesin skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja, e cila më 13 maj në stadiumin “Air Albania” do të përballet me Egnatian për trofeun.
Pas ndeshjes, trajneri i Dinamos, Ilir Daja, e cilësoi këtë fitore si një shtysë të rëndësishme psikologjike për ekipin, duke theksuar se ajo erdhi në kushte të vështira për shkak të mungesave.
"Urimet i shkojnë ekipit sepse Kupa ka një specifikë tjetër. Mund të bësh mirë, mund ta kurorëzosh. Është një bonus i madh psikologjik. Ndeshjen e parë nuk e kishim në favor, gabuam me topat në thellësi dhe ajo çfarë kishim. U ndje lodhja sepse kemi një kontigjent të limituar. Kemi ndeshje në kampionat dhe Kupë. Lodhja dhe dëmtimet - Do vijë dhe moment që do kemi lodhje, nuk kemi patur mundësi të bëjmë rotacion. Qardaku dhe Qefalia vijnë nga dëmtimet, kishim qëllim të mbroheshim, sidomos në pjesën e dytë. Na vjen mirë që jemi në rrugën e duhur. Kemi amortizuar mungesat që kemi patur. Teixeira e pati pak të vështirë pasi ndjeu shqetësime në pjesën e pulpës. Kemi humbur në stërvitje dhe Nezirin", tha Ilir Daja pas kalimit në finale.
Në anën tjetër, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, u ndal te momenti vendimtar i ndeshjes, duke theksuar se ekipi i tij mund të kishte vepruar ndryshe në rastin e golit të pësuar.
"Te goli, i kam bërtitur fort 'faull, faull, faull', mund të ishte karton i kuq; megjithatë iku, u bë ajo gjë tani. Bregu nuk duhet të ishte vetëm me Malën në ato momente, një fragment solli diferencën në këtë ndeshje. Iago duhej të ishte vendosur pak më mbrapa, pjesa tjetër ishin mirë. Topi doli rastësisht, është një moment që duhet të ishim më të qetë", tha për mediet pas ndeshjes Edi Martini.
Ndërkohë, në kampionat, Vllaznia dhe AF Elbasani kanë siguruar pjesëmarrjen në zonën “Final 4”, ndërsa Egnatia, Dinamo dhe Partizani mbeten në garë për dy vendet e fundit në luftën për titullin.
Lini një Përgjigje