
Legjenda e portës italiane, Xhanluixhi Bufon, ka rikthyer në vëmendje finalen e Kupës së Botës 2006, një nga ndeshjet më të diskutuara në historinë e futbollit, ku Italia triumfoi ndaj Francës dhe u shpall kampione bote.
Në një intervistë për “The Guardian”, pas publikimit të librit të tij “Saved”, Bufon u ndal te momentet kyçe të asaj nate, duke ofruar detaje dhe reflektime personale mbi episodet vendimtare të finales.
Bufon kujton pritjen spektakolare ndaj goditjes me kokë të Zinedin Zidan në kohën shtesë, një ndër momentet më të rëndësishme të ndeshjes.
“Kur goditi topin, e bëri me një forcë të jashtëzakonshme, pothuajse si ta kishte goditur me këmbë. Ishte shumë i shpejtë dhe ai ishte i bindur se do të shënonte. U zhgënjye që e ndala, por si kampion i madh që është, besoj se e vlerësoi pritjen time”.
Ish-portieri italian zbulon edhe rolin e tij në momentin që çoi në përjashtimin e Zidan, pas goditjes me kokë ndaj Marko Materacit.
“Isha rreth 15 metra larg dhe dëgjova goditjen. Nëse do t’ia bënte dikujt tjetër, mund ta kishte lënë pa ndjenja. Anësori nuk e pa, unë isha i vetmi. Vrapova drejt arbitrit… Materaci ishte në tokë, Zidan i palëvizshëm dhe loja u ndal”.
Bufon pranon gjithashtu përgjegjësinë e tij në këtë situatë:
“Ishte edhe faji im…”.
Sot në rolin e drejtuesit, ish-kapiteni i Italisë shpreh shqetësim për gjendjen aktuale të përfaqësueses, e cila ka dështuar të kualifikohet në tre Kampionate Botërore radhazi.
“Është shumë e dhimbshme. Duhet të kuptojmë arsyet dhe të ndryshojmë, përndryshe ky problem do të vazhdojë”.
Lini një Përgjigje