
Lamin Jamal është kthyer në një nga temat kryesore të ditës në Spanjë, jo për paraqitjet e tij në fushë, por për dëmtimin që i ka mbyllur para kohe sezonin me Barcelonën dhe që mund të ndikojë edhe pjesëmarrjen e tij në Botërorin 2026.
Barcelona konfirmoi zyrtarisht se sulmuesi 18-vjeçar ka pësuar një dëmtim në kofshën e pasme të këmbës së majtë, pas testeve mjekësore të kryera. Sipas klubit, lojtari do t’i nënshtrohet trajtimit dhe nuk do të jetë i disponueshëm për pjesën e mbetur të sezonit.
Dëmtimi ndodhi në ndeshjen ndaj Selta Vigos, ku Jamal realizoi golin e vetëm të takimit nga pika e penalltisë për fitoren 1-0. Raportohet se ai shfaqi shqetësime fizike menjëherë pas momentit të golit, çka më pas u konfirmua si dëmtim serioz.
Klubi katalanas ka lënë të kuptohet se rikuperimi i lojtarit pritet të përfundojë në kohë për Botërorin 2026, megjithatë mbeten ende paqartësi mbi gjendjen e tij fizike në muajt në vijim.
Mbyllja e sezonit përpara kohe konsiderohet një goditje e rëndë si për lojtarin, ashtu edhe për Barcelonën, në një fazë vendimtare të garave.
Vetë Jamal reagoi përmes rrjeteve sociale, duke shprehur zhgënjimin për këtë situatë.
“Ky dëmtim më ka lënë jashtë fushës së lojës pikërisht në momentin kur doja më shumë të isha aty dhe kjo dhemb më shumë sesa mund të përshkruhet me fjalë. Më dhemb të mos jem në gjendje të luftoj përkrah shokëve të ekipit”, shkroi ai, duke shtuar se do të mbështesë skuadrën nga jashtë dhe se synon të rikthehet më i fortë sezonin e ardhshëm.
Jamal është pjesë e përfaqësueses së Spanjës, me të cilën ka fituar Kampionatin Europian të fundit, dhe Botërori i ardhshëm pritet të jetë një moment i rëndësishëm në karrierën e tij.
Lini një Përgjigje