
Nazmi Gripshi po konfirmon formën e tij të mirë me Rubin Kazan, skuadër ku u transferua gjatë merkatos së dimrit. Mesfushori sulmues i Kombëtares shqiptare ishte protagonist në fitoren minimale 1-0 ndaj Dinamos së Moskës në transfertë.
Momenti vendimtar i takimit erdhi në minutën e 19-të, kur Gripshi dhuroi asistin për golin e vetëm të sfidës. Sulmuesi Siue finalizoi saktë, duke i siguruar Rubin Kazanit tri pikë të rëndësishme në javën e 26-të të kampionatit rus.
Paraqitja e Gripshit nuk kaloi pa u vënë re nga platformat e specializuara të statistikave. “Flashscore” e vlerësoi atë si lojtarin më të mirë të ndeshjes, ndërsa “Sofascore” e renditi si më të dalluarin në radhët e Rubin Kazan për këtë takim.
28-vjeçari ka zhvilluar deri më tani tetë ndeshje në kampionatin rus. Ai numëron një gol dhe tre asiste, duke dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në fazën sulmuese të skuadrës.
Lini një Përgjigje