
FIFA nuk ka asnjë plan për të zëvendësuar Iranin me Italinë në Kupën e Botës që do të zhvillohet këtë verë, pavarësisht një propozimi të bërë nga një i dërguar special i ish-presidentit amerikan Donald Trump. Burime pranë qeverisë së futbollit botëror konfirmojnë se nuk ekziston asnjë diskutim konkret për ndryshime në listën e skuadrave pjesëmarrëse.
Situata zhvillohet në një kontekst të tensionuar ndërkombëtar, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Në këtë klimë, Paolo Zampolli deklaroi për “Financial Times” se kishte sugjeruar përfshirjen e Italisë në vend të Iranit. “Si italian, do të ishte një ëndërr të shihja ‘Azzurrët’ në një Botëror të organizuar në SHBA. Me katër tituj, ata kanë historinë për ta merituar këtë,” u shpreh ai.
Megjithatë, FIFA nuk ka dhënë një reagim zyrtar ndaj kësaj ideje, por ka rikujtuar qendrimin e presidentit Xhani Infantino. Pak ditë më parë, ai theksoi qartë se kombëtarja iraniane do të marrë pjesë në turne “pa asnjë dyshim”.
Nga ana tjetër, reagimi i Iranit ka qenë i ashpër. Ambasada iraniane e cilësoi propozimin si një shenjë të “falimentimit moral” të SHBA-së, duke nënvizuar se sukseset sportive duhet të arrihen në fushë dhe jo përmes ndikimit politik. Sipas deklaratës së publikuar në rrjetin X, përpjekja për të përjashtuar Iranin tregon frikë edhe ndaj përfaqësimit sportiv të vendit.
Sipas “Financial Times”, ideja e Zampollit kishte edhe një dimension diplomatik, duke synuar përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Itali pas kritikave të kryeministres Giorgia Meloni ndaj Trump.
Në Itali, propozimi është pritur negativisht. Ministri i Ekonomisë Xhankarlo Xhorxheti e quajti atë “të turpshëm”, ndërsa ministri i Sportit Andrea Abodi theksoi se një skenar i tillë “as nuk është i mundur dhe as i përshtatshëm”, duke shtuar se kualifikimi fitohet vetëm në fushë. Edhe presidenti i Komitetit Olimpik Italian, Luçiano Buonfilio, u shpreh kundër, duke theksuar parimin e meritës sportive.
Italia, katër herë kampione bote, nuk ka arritur të kualifikohet për herë të tretë radhazi, pasi u eliminua në fazën “play-off” nga Bosnje-Hercegovina muajin e kaluar.
Ndërkohë, Irani do të luajë në fazën e grupeve ndaj Zelandës së Re dhe Belgjikës në Los Angeles më 15 dhe 21 qershor, si dhe kundër Egjiptit në Seattle më 26 qershor. Turneu do të nisë më 11 qershor dhe organizohet nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika.
Sipas rregulloreve të FIFA-s, organizata ka të drejtë të marrë vendime në rast të tërheqjes apo përjashtimit të një skuadre, por deri tani nuk ka asnjë sinjal për një zhvillim të tillë. Infantino ka theksuar se sporti duhet të qendrojë i ndarë nga politika dhe se Irani “e ka fituar në fushë të drejtën për të qenë pjesë e Botërorit”.
Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se janë “plotësisht të përgatitura” për pjesëmarrje, pavarësisht shqetësimeve të mëparshme për sigurinë.
Lini një Përgjigje