
Pep Guardiola nuk e ka përjashtuar asnjëherë një të ardhme në futbollin italian. “Përse jo?” ishte përgjigjja e tij në tetor 2018 gjatë “Festivalit të Sporteve” në Trento, një deklaratë që edhe sot mbetet aktuale. Në atë kohë, trajneri i Mançester Sitit la të kuptohej se eksperiencat e reja nuk janë të pamundura, duke kujtuar se më parë nuk e kishte menduar as drejtimin e Bajernit të Mynihut.
Pas disa vitesh, qendrimi i Guardiolës ndaj Italisë duket i pandryshuar. Sipas burimeve, presidenti i ri i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), që do të zgjidhet pas publikimit të kandidatëve më 13 maj, mund të konsiderojë një kontakt me trajnerin katalanas për drejtimin e kombëtares.
Nuk ka garanci për një përgjigje pozitive, por ideja e një tentative konsiderohet e arsyeshme, sidomos duke pasur parasysh reputacionin dhe eksperiencën e tij.
Aktualisht, Guardiola është i fokusuar te Mançester Siti, me të cilin ka edhe një vit kontratë. Objektivi kryesor mbetet fitimi i titullit të shtatë në Premier Ligë në një dekadë, si dhe gara në FA Cup.
Nëse arrin të fitojë kampionatin dhe kupën, numri i trofeve të tij si trajner do të shkojë në 42 brenda 18 viteve karrierë. Një shifër që afrohet me rekordin e Sër Aleks Ferguson, i cili ka 49 trofe, por në një periudhë shumë më të gjatë.
Prej muajsh, në mediat angleze dhe katalanase qarkullojnë zëra për një largim të mundshëm të Guardiolës nga Mançester Siti. Sipas këtyre spekulimeve, edhe një sukses i madh këtë sezon mund të ndikojë në vendimin e tij për të mbyllur ciklin me klubin anglez.
Megjithatë, trajneri nuk ka dhënë asnjë sinjal konkret për të ardhmen.
Në rast largimi nga futbolli i klubeve, një alternativë për Guardiolën mbetet drejtimi i një kombëtareje. Ky opsion shihet si një kompromis mes intensitetit të futbollit të përditshëm dhe nevojës për një ritëm më të ulët pune.
Anglia nuk është më një mundësi, pasi Tomas Tuhel ka rinovuar deri në 2028. Brazili pritet të vazhdojë me Karlo Ançelotin deri në vitin 2030.
Kjo lë hapësirë për skenarë të tjerë, ku Italia mund të jetë një prej tyre.
Ish-mbrojtësi italian Leonardo Bonuçi deklaroi së fundmi se Guardiola do të ishte zgjedhja ideale për një rifillim të futbollit italian, duke e konsideruar si një figurë që mund të sjellë ndryshim të thellë. Megjithatë, ai pranoi se një lëvizje e tillë mbetet e vështirë.
Guardiola ka një raport të veçantë me Italinë:
1-Ka luajtur më parë në Breshia dhe Romë
2-Flet gjuhën italiane
3-Ka lidhje personale përmes bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Manel Estiarte
Këto elemente forcojnë idenë se një rikthim në futbollin italian nuk është i pamundur. Sipas vlerësimeve, aspekti financiar mund të mos jetë vendimtar, pasi motivimi kryesor do të ishte profesional dhe emocional.

Lini një Përgjigje