
Klaudio Ranieri nuk është më pjesë e Romës në rolin e këshilltarit të lartë të pronarëve “Friedkin”, duke mbyllur para kohe një marrëveshje që zgjaste deri në qershor 2027. Vendimi vjen pas tensioneve të vazhdueshme brenda klubit, veçanërisht me trajnerin Xhan Piero Gasperini.
Edhe pse më herët drejtuesit kishin shprehur besim ndaj Ranierit, marrëdhënia u përkeqësua pas deklaratave publike të tij mbi merkaton dhe zgjedhjet teknike, të cilat u kundërshtuan nga Gasperini. Ky i fundit reagoi publikisht, duke e cilësuar situatën si të papërshtatshme për tifozët.
Përplasja mes Ranierit dhe Gasperinit konsiderohet si pika kulmore e një marrëdhënieje të tensionuar, që drejtuesit e klubit nuk arritën ta zbusnin. Pas largimit të Ranierit, në pikëpyetje mbetet edhe e ardhmja e drejtorit sportiv Frederik Masara, i cili gjithashtu raportohet të ketë pasur mosmarrëveshje me trajnerin.
Në këtë situatë, pronarët kanë zgjedhur të mbështesin Gasperinin, duke i dhënë atij besimin për të vijuar projektin sportiv të skuadrës.
Në konferencë për shtyp, trajneri theksoi se klubi ka qenë gjithmonë në krah të tij dhe se prioritet mbetet Roma. Ai u shpreh i surprizuar nga deklaratat e Ranierit, duke mohuar çdo përfshirje në konflikt dhe duke kërkuar që fokusi të rikthehet te futbolli.
Gasperini shtoi se nuk dëshiron të jetë pjesë e polemikave dhe se synon të përqendrohet vetëm te përgatitja e skuadrës për ndeshjet e radhës.
Në aspektin sportiv, Roma synon një vend në Ligën e Kampioneve, objektiv që mbetet i vështirë për t’u arritur, pasi Juventusi mban vendin e katërt me një diferencë prej 5 pikësh. Ndeshjet e mbetura, përfshirë transfertën ndaj Bolonjës, pritet të jenë vendimtare.
Sa i përket skuadrës, Paulo Dibala është rikthyer në stërvitje, por nuk pritet të jetë titullar në ndeshjen e radhës. Trajneri la të hapur mundësinë e aktivizimit të tij gjatë lojës, ndërsa theksoi rëndësinë e tij për fazën finale të sezonit.
Lini një Përgjigje