Arbër Hoxha pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos së verës te Dinamo e Zagrebit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare po lidhet gjithnjë e më shumë me një largim nga kampionët kroatë, ndërsa në skenë është rikthyer interesimi i klubit polak Uidzju Lodz.
Situata bëhet edhe më interesante për shkak të deklaratave të bëra vetëm pak javë më parë nga zëdhënësi i Uidzju Lodz, Jakub Diktinski. Ai kishte mohuar kategorikisht ekzistencën e negociatave për Hoxhën, duke e cilësuar lajmin si një tjetër thashethem të pabazuar.
“Një tjetër thashethem ka dalë në sipërfaqe, me një ton shumë të ngjashëm me disa të mëparshëm, kështu që dua t’ju informoj se Uidzju nuk është në bisedime për të nënshkruar me Arbër Hoxhën”, deklaronte Diktinski tre javë më parë.
Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë një realitet tjetër. Afrimi i Mislav Orsiç te Dinamo e Zagrebit ka shtuar gjasat që Hoxha të largohet nga skuadra kroate gjatë kësaj vere.
Një vit më parë, klubi rus Akron Toliati kishte ofruar rreth 1.5 milionë euro për kartonin e lojtarit, ndërsa sulmuesi do të përfitonte gjithashtu një pagë më të lartë. Megjithatë, presidenti i Dinamos, Zvonimir Boban, refuzoi ofertën, duke e konsideruar atë të pamjaftueshme.
Sipas raportimeve, Uidzju Lodz tashmë është i gatshëm të investojë mes 4 dhe 5 milionë euro për transferimin e shqiptarit. Përveç shumës së transferimit, Hoxha mund të përfitojë një kontratë me vlerë rreth 1 milion euro në sezon, dyfish më shumë se paga aktuale që përfiton në Kroaci, e cila vlerësohet rreth 500 mijë euro në vit.
Merkatoja e verës pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e 26-vjeçarit. Nëse negociatat konkretizohen, transferimi do të përbënte një përfitim të ndërsjellë për lojtarin, klubin blerës dhe Dinamon e Zagrebit.
Lini një Përgjigje