TAGS-AT E JAVËS

Sport 1 Qershor 2026, 16:59

Një javë pas aksidentit të rëndë, ndërron jetë ish-futbollisti i AEK-ut të Strakoshës!

Shkruar nga Pamfleti
Një javë pas aksidentit të rëndë, ndërron
Marios Oikonomou

Një lajm tragjik ka tronditur futbollin grek. Marios Oikonomou, ish-mbrojtësi i kombëtares së Greqisë, ka ndërruar jetë në moshën 33-vjeçare, pas plagëve të rënda që pësoi në një aksident rrugor në Janinë.

Aksidenti ndodhi një javë më parë, kur motoçikleta që drejtohej nga Oikonomou u përplas me një automjet pranë spitalit Hatzikostas në Janinë. Sipas mediave greke, përplasja ndodhi në rrethana që ende po hetohen nga autoritetet.

Si pasojë e aksidentit, ish-futbollisti pësoi dëmtime të rënda, kryesisht në kokë, dhe u transportua menjëherë në Spitalin Universitar të Janinës. Ai iu nënshtrua një operacioni të vështirë dhe qëndroi për disa ditë në njësinë e terapisë intensive, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.

Policia greke kishte bërë të ditur se ishte njoftuar për ngjarjen rreth orës 12:45, ndërsa automjeti tjetër i përfshirë në aksident drejtohej nga një 63-vjeçar. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë.

Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka shkaktuar dhimbje të madhe në komunitetin sportiv grek. Klube të ndryshme dhe ish-bashkëlojtarë kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e ish-futbollistit, i cili konsiderohej një figurë e respektuar në futbollin helen.

Gjatë karrierës së tij, Oikonomou luajti për disa skuadra të njohura në Greqi dhe Itali. Ai veshi fanellën e AEK Athinës, klub ku ishte shok skuadre edhe me portierin shqiptar Thomas Strakosha, si dhe luajti për Bologna, Cagliari, SPAL, Bari, Sampdoria dhe Panathinaikos.

Ish-mbrojtësi numëroi gjithashtu gjashtë paraqitje me kombëtaren e Greqisë, ndërsa në vitin 2024 vendosi t’i japë fund karrierës si futbollist profesionist.

Ndarja e parakohshme nga jeta e Marios Oikonomou lë pas një boshllëk të madh në futbollin grek, ndërsa familjarët, miqtë dhe tifozët e kujtojnë si një sportist të përkushtuar dhe një njeri të respektuar brenda dhe jashtë fushës së blertë.

marios oikonomou lajm i trishte per futbollin

Lini një Përgjigje