Një ditë pasi Kilian Mbape mbrojti vendimin e tij për t’u përfshirë në debatin politik francez gjatë një interviste për “Vanity Fair”, liderët e partisë së djathtë ekstreme “National Rally”, Jordan Bardella dhe Marine Le Pen, reaguan me ironi ndaj kapitenit të kombëtares franceze në rrjetet sociale.
Le Pen dhe Bardella, të cilët konsiderohen ndër favoritët për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm në Francë, vunë në dukje se pas largimit të Mbape nga PSG-ja në vitin 2024, klubi parisien fitoi për herë të parë në histori Champions League dhe këtë sezon është sërish në finale.
“E di çfarë ndodh kur Kilian Mbape u largua nga PSG: klubi fitoi Champions League! (Dhe ndoshta shumë shpejt edhe një të dytë)”, shkroi Bardella në platformën X.
Ndërsa Marine Le Pen deklaroi për radion franceze RTL: “Ai u largua nga PSG për t’u bashkuar me Realin e Madridit me synimin për të fituar Champions League. Ndërkohë, PSG e fitoi atë.”
Partia e Le Pen ka pasur prej kohësh marrëdhënie të tensionuara me kombëtaren franceze të futbollit. Figura të së djathtës ekstreme kanë kritikuar shpesh përbërjen etnike të ekipit, duke vënë në diskutim identitetin “francez” të disa lojtarëve.
Në vitin 1996, themeluesi i “National Rally”, Jean-Marie Le Pen, deklaronte se “është artificiale të marrësh lojtarë nga jashtë dhe t’i quash kombëtarja franceze”.
Aktualisht, Mbape luan me Realin, klub që dominoi Champions League gjatë dekadës së fundit, por që ka kaluar dy sezone jo bindëse pas transferimit të sulmuesit francez.
Presioni mbi 27-vjeçarin pritet të rritet edhe më shumë gjatë Kupës së Botës këtë verë, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ku Franca konsiderohet një nga favoritët kryesorë.
Në intervistën për “Vanity Fair”, Mbape mbrojti deklaratat e tij të mëparshme, ku kishte bërë thirrje që qytetarët të “votojnë kundër ekstremistëve që duan të përçajnë vendin” gjatë zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2024.
Në të njëjtën periudhë, edhe sulmuesit Osmane Dembele dhe Markus Turam kishin bërë thirrje publike kundër “National Rally”.
“Ne jemi qytetarë dhe nuk mund të rrimë duarkryq duke menduar se gjithçka do të shkojë mirë ndërsa ne thjesht luajmë futboll. Po përpiqemi të luftojmë idenë se një futbollist duhet vetëm të heshtë dhe të luajë”, tha Mbape për “Vanity Fair”.
Ai shtoi se e kupton “çfarë pasojash mund të ketë për vendin kur njerëz të tillë marrin pushtetin”.
Shumë lojtarë të kombëtares aktuale franceze janë fëmijë emigrantësh nga ish-kolonitë afrikane të Francës ose kanë lindur jashtë vendit. Babai i Mbape është nga Kameruni, ndërsa nëna e tij ka origjinë algjeriane.
Megjithatë, vitet e fundit Marine Le Pen është përpjekur ta paraqesë partinë e saj si një forcë politike më të moderuar dhe ka shmangur sulmet direkte ndaj kombëtares franceze, sidomos pas suksesit të saj ndërkombëtar, me fitimin e Kupës së Botës në vitin 2018 dhe finalen e vitit 2022.
Në vitin 2022, Jordan Bardella e kishte cilësuar Mbapenë si “një model të integrimit”.
Lini një Përgjigje