Olimpiku i Lionit përballet me rrezikun serioz të përjashtimit nga garat europiane sezonin e ardhshëm, pavarësisht se skuadra është shumë pranë sigurimit të një vendi në UEFA Champions League përmes kampionatit francez.
Sipas raportimeve të “The Telegraph”, UEFA ka hapur një hetim të ri ndaj klubit francez për shkak të dyshimeve se nuk janë respektuar kushtet e një marrëveshjeje financiare të arritur verën e kaluar me Organin e Kontrollit Financiar të Klubeve.
Aktualisht, Lioni mban vendin e katërt në Ligën 1 dhe vazhdon garën për një biletë në Champions League. Një fitore ndaj Lensit në javën e fundit të sezonit mund t’i sigurojë ekipit kualifikimin direkt në kompeticionin më prestigjioz europian për klube.
Megjithatë, problemet financiare mund të ndryshojnë tërësisht situatën. Edhe në rast se nuk arrin të sigurojë Champions League, Lioni ka pothuajse të garantuar një vend në Ligën e Europës ose Ligën e Konferencës, por pjesëmarrja në këto turne mbetet në pikëpyetje për shkak të hetimeve të UEFA-s.
Klubi ishte ndëshkuar edhe më herët për shkelje të rregullave të qendrueshmërisë financiare. Vitin e kaluar, Lioni u dërgua përkohësisht në Ligën 2 për shkak të krizës ekonomike, por më pas arriti të rrëzonte vendimin pas apelimit.
Për të balancuar financat, drejtuesit u detyruan të shisnin disa prej lojtarëve kryesorë. Mes tyre ishte edhe talenti Rajan Çerki, i cili iu bashkua Mançester Sitit për shumën e 34 milionë paundëve.
Sipas marrëveshjes së arritur me UEFA-n, pronarët e klubit duhej të investonin 52 milionë euro deri më 15 korrik të vitit të kaluar dhe t’i konvertonin ato në kapital deri më 15 tetor. Megjithatë, raportimet sugjerojnë se këto detyrime mund të mos jenë përmbushur plotësisht.
UEFA zakonisht shmang përjashtimin e klubeve nga garat europiane, por nëse konstatohen shkelje të rënda financiare, organizmi qeverisës i futbollit europian mund të marrë masa të forta ndaj klubit francez.
Situata ekonomike e Lionit mbetet shqetësuese. Vetëm gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar, klubi raportoi humbje prej 162 milionë paundësh.
Tashmë, Lioni rrezikon që kriza financiare të ndikojë jo vetëm në stabilitetin ekonomik të klubit, por edhe në të ardhmen e tij në arenën europiane.
Lini një Përgjigje