Arijanet Muriç nuk do të jetë pjesë e Sasuolos në sezonin e ardhshëm. Portieri i kombëtares së Kosovës, i huazuar nga Ipsuiç Taun te skuadra italiane, ka vendosur të mos e vazhdojë bashkëpunimin me klubin nga Serie A.
Lajmin e ka konfirmuar vetë gardiani dardan në një deklaratë për gazetarin italian Xhanluka Di Marcio.
“Jam mirënjohës për këtë vit që kalova në klub, por nuk kam ndërmend të luaj për Sasuolon sezonin e ardhshëm. Kur kontrata e huazimit të përfundojë, do të mbyllet edhe eksperienca ime këtu. Ishte një vit pozitiv dhe u argëtova, por për arsye personale informova klubin që nuk do të qendroj”, u shpreh Muriç.
Pavarësisht vendimit për largim, 25-vjeçari zhvilloi një sezon pozitiv me fanelën e Sasuolos në elitën e futbollit italian. Një nga paraqitjet më të spikatura ishte ajo ndaj Juventusit, në barazimin 1-1, ku Muriç priti edhe një penallti.
Në total, portieri kosovar është aktivizuar në 32 ndeshje gjatë këtij sezoni, ndërsa në gjashtë raste e ka mbajtur portën të paprekur.
Dy javë para përfundimit të kampionatit, Sasuolo renditet në vendin e 11-të në Serinë A me 49 pikë të grumbulluara.
Lini një Përgjigje