TAGS-AT E JAVËS

Sport13 Maj 2026, 10:32

Sot finalja e Kupës së Shqipërisë, Egnatia sfidon Dinamon për hakmarrje sportive

Shkruar nga Pamfleti

Sot finalja e Kupës së Shqipërisë, Egnatia sfidon Dinamon

Futbolli shqiptar do të kurorëzojë këtë të mërkurë një nga trofetë më të rëndësishëm të sezonit 2025/2026. Në orën 19:00, në “Air Albania Stadium”, Egnatia dhe Dinamo do të zbresin në fushë për finalen e Kupës së Shqipërisë.

Dy skuadrat kanë triumfuar në dy edicionet e fundit të këtij kompeticioni dhe një vit më parë u përballën po në finalen e Kupës, ku Dinamo arriti të ngrinte trofeun. Për Egnatian, sfida e sotme përfaqëson mundësinë ideale për të marrë revanshin dhe për t’u rikthyer te suksesi.

Në rrugën drejt finales, Dinamo eliminoi Vllazninë në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 2-1. Kryeqytetasit barazuan 1-1 në ndeshjen e parë në Tiranë dhe fituan 1-0 sfidën e kthimit në Shkodër. Nga ana tjetër, Egnatia siguroi kualifikimin ndaj Elbasanit vetëm pas goditjeve të penalltive, pas dy përballjeve shumë të balancuara.

Finalja e mbrëmjes do të jetë përballja e 34-t në histori mes Egnatias dhe Dinamos. Statistikat favorizojnë skuadrën rrogozhinase, që nën drejtimin e Nevil Dedes numëron 16 fitore në 33 ndeshjet e mëparshme, kundrejt 7 sukseseve të Dinamos, ndërsa 10 takime janë mbyllur në barazim. Edhe bilanci i golave anon nga Egnatia, me 39 realizime përballë 24 të Dinamos.

Në “Air Albania Stadium” pritet një duel i luftuar dhe emocionues për trofeun e Kupës së Shqipërisë. Kjo finale shërben gjithashtu si paraprijëse e fazës “Final Four” të kampionatit, që do të zhvillohet nga 16 deri më 31 maj, ku Egnatia, Dinamo, Vllaznia dhe Elbasani do të garojnë për titullin kampion të vendit.

Lini një Përgjigje