Një nga episodet më të komentuara së fundmi te Reali i Madridit ka qenë përplasja mes Oreliën Tçuamenit dhe Federiko Valverdes, incident që mori jehonë të madhe në mediat sportive ndërkombëtare. Sipas raportimeve, konflikti pati pasoja edhe për Valverden, i cili përfundoi në spital.
Megjithatë, presidenti i klubit madrilen, Florentino Perez, u shpreh se problemi më i madh nuk ishte vetë sherri mes lojtarëve, por fakti që informacioni doli nga ambientet e klubit dhe u publikua në media.
Në konferencën për shtyp, Perez e cilësoi incidentin si një situatë të zakonshme në jetën e një skuadre futbolli.
“Mendoj se është shumë e gabuar dhe akoma më keq që u bë publike. Kam qenë këtu për 26 vjet dhe nuk ka kaluar asnjë sezon pa pasur grindje mes lojtarëve. Siç ndodh me të rinjtë, njëri godet, tjetri reagon dhe më pas gjithçka mbyllet”, deklaroi Perez.
Ai shtoi se rrjedhja e informacionit është ajo që e shqetëson më shumë.
“Për mua, fakti që informacioni doli jashtë është më i rëndë sesa vetë grindja, sepse të nesërmen ata janë sërish miq dhe dalin për kafe bashkë. Nuk është hera e parë në 26 vite që shoh një situatë të tillë dhe kjo më shqetëson”, u shpreh presidenti i Real Madridit.
Perez theksoi se konfliktet mes futbollistëve janë pjesë e natyrshme e konkurrencës në një ekip me nivel të lartë.
“Nuk është hera e parë që dy lojtarë përleshen dhe as hera e parë që kam shkarkuar trajnerë. Lojtarët grinden çdo sezon sepse janë konkurrues. Problemi këtë herë është se historia u bë publike dhe ne e dimë kush e nxori”, tha ai.
Në fund, kreu i klubit madrilen kritikoi mënyrën se si situata është trajtuar nga mediat, duke mohuar se incidenti tregon për një krizë të brendshme te Reali.
“Shtypi duhet të analizojë çfarë ndodhi, por nuk mund të flitet për kaos te Reali i Madridit vetëm sepse dy lojtarë janë përleshur. Ata grinden çdo vit, madje çdo ditë, dhe aty mbaron gjithçka. Nëse dikush brenda klubit e nxjerr jashtë, kjo është më e rëndë se vetë përplasja”, përfundoi Perez.
Lini një Përgjigje