Suedia ka zyrtarizuar listën me 26 lojtarët që do ta përfaqësojnë në Botërorin 2026, turne ku skandinavët regjistrojnë pjesëmarrjen e tyre të 14-të në histori.
Dejan Kulusevski, nuk ia ka dalë të rikuperohet në kohë dhe është lënë jashtë, ndërsa mungojnë në listë edhe Hugo Larson, por sidomos Runi Bardaxhi, anësori i sulmit të Barcelonës i cili sapo u shpall kampion me katalanasit
Arritja më e madhe e suedezëve mbetet finalja e vitit 1958, ku u mposhtën nga Brazili, ndërsa në edicionin e vitit 2018 arritën deri në çerekfinale.
Trajneri Graham Poter ka përzgjedhur një skuadër të mbështetur te cilësia në repartin ofensiv. Në listë spikasin sulmuesit e Premier Ligës, Viktor Giokeres i Arsenalit dhe Aleksandër Isak i Liverpulit. Pjesë e ekipit është edhe mesfushori shqiptar Besfort Zeneli. Kapiteni i kombëtares suedeze do të jetë Viktor Lindelëf, një nga lojtarët më me eksperiencë të skuadrës, me 75 paraqitje me fanelën kombëtare.
Rruga e Suedisë drejt Botërorit ishte e vështirë dhe plot tension. Pas një fushate zhgënjyese në grupet kualifikuese europiane, ku skuadra grumbulloi vetëm dy pikë, Federata vendosi të shkarkojë trajnerin Jon Dahl Tomason. Në vend të tij u emërua britaniku Graham Poter, i cili arriti ta rikthejë ekipin në garë përmes Ligës së Kombeve dhe fazës “playoff”.
Në gjysmëfinalen e “playoff”-it, në një grup ku ishte edhe Shqipëria, Suedia mposhti Ukrainën me rezultatin 3-1, falë një tripletë të Viktor Giokeres. Në finalen vendimtare ndaj Polonisë, suedezët fituan 3-2, ndërsa sulmuesi i Arsenalit realizoi golin e suksesit vetëm dy minuta para fundit të ndeshjes, duke vulosur kualifikimin për në Botëror.
Suedia do ta nisë aventurën në Kupën e Botës më 14 qershor në Monterreji të Meksikës, përballë Tunizisë. Më pas do të sfidojë Holandën më 20 qershor në Houston, ndërsa ndeshjen e fundit në grup do ta luajë më 25 qershor në Dallas kundër Japonisë.
Sipas formatit të turneut, dy skuadrat e para të çdo grupi, së bashku me tetë ekipet më të mira të vendeve të treta, do të sigurojnë kalimin në fazën tjetër.

Lini një Përgjigje