TAGS-AT E JAVËS

Sport19 Maj 2026, 21:39

Miqësorja e luksit Itali-Greqi në rrezik, vendimi drastik i trajnerit të “Axurrëve” nuk u pëlqen grekëve

Shkruar nga Pamfleti
Miqësorja e luksit Itali-Greqi në rrezik, vendimi drastik i trajnerit
silvio baldini

Cikli i ri i kombëtares italiane mund të nisë mes polemikash dhe pasigurish. “Të Kaltërit” kanë programuar dy ndeshje miqësore në fillim të qershorit, fillimisht ndaj Luksemburgut më 3 qershor dhe më pas kundër Greqisë më 7 qershor, por organizimi i sfidës së dytë po has vështirësi serioze.

Në qendër të debatit është ideja e trajnerit Silvio Baldini për të përdorur në këto takime një grup të përbërë kryesisht nga futbollistë të rinj. Me Italinë që do ta ndjekë Botërorin si spektatore pas mungesës në turneun e verës, interesimi dhe motivimi i lojtarëve më me përvojë konsiderohet i ulët në prag të pushimeve verore.

Për këtë arsye, Baldini synon të shfrytëzojë miqësoret për të testuar talentet që ka ndjekur gjatë punës së tij me ekipin U21. Objektivi i trajnerit është të ndërtojë bazat e së ardhmes së kombëtares italiane, duke i dhënë hapësirë lojtarëve të rinj dhe më të motivuar.

Megjithatë, sipas raportimeve të medias greke “Sport24”, Federata Greke e Futbollit nuk e sheh me sy të mirë këtë qasje. Greqia, e cila gjithashtu dështoi të sigurojë pjesëmarrjen në Botërorin e SHBA-Kanada-Meksikë, kërkon një përballje me një Itali konkurruese dhe jo një ndeshje eksperimentale ndaj një formacioni të ngjashëm me ekipin “Shpresa”.

Federata Greke e konsideron këtë test si një provë të rëndësishëm përpara nisjes së Ligës së Kombeve në shtator dhe kërkon një kundërshtar të nivelit maksimal.

Kontaktet mes dy Federatave kanë vijuar intensivisht gjatë javës së fundit për të gjetur një kompromis. Nga ana e saj, FIGC mbron të drejtën e trajnerit për të zgjedhur skuadrën sipas strategjisë teknike, duke argumentuar se aktivizimi i lojtarëve si Donaruma, Palestra, Pisili, Ahanor, Esposito dhe Bartesagi nuk përbën mungesë respekti ndaj kundërshtarit.

Situata mbetet e hapur dhe ekziston mundësia e një ndryshimi të minutës së fundit në programin e miqësoreve. Kalendari ndërkombëtar i fillim-qershorit është pothuajse i mbushur dhe alternativat për kundërshtarë të rinj janë shumë të kufizuara, çka e bën edhe më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje.

italia greqia ndeshja miqësore

Lini një Përgjigje