Rolando Maran është prezantuar zyrtarisht si trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, me objektivin madhor për të udhëhequr kuqezinjtë drejt “RURO 2028”. Tekniku italian i bashkohet listës së trajnerëve nga përtej Adriatikut që kanë drejtuar Shqipërinë, ndërsa në Itali vijojnë analizat mbi profilin dhe karrierën e tij.
Gazetari i “Tuttomercatoweb”, Gaetano Moçiaro, ka komentuar për “Panorama Sport” rrugëtimin e 62-vjeçarit në futbollin italian, duke vlerësuar periudhën më të suksesshme të tij, por edhe rënien e viteve të fundit.
Sipas Moçiaros, kulmi i karrierës së Maran ishte mes viteve 2012 dhe 2019, periudhë në të cilën ekipet e tij shquheshin për futboll cilësor dhe rezultate pozitive.
“Kam parë nga afër Katanian dhe Kaljarin e tij dhe luanin një futboll vërtet të bukur. Ai bëri punë të shkëlqyer edhe te Vareze, ku mori skuadrën në javën e tetë në një moment të vështirë dhe e çoi shumë pranë ngjitjes në Serinë A”, u shpreh gazetari italian.
Moçiaro kujtoi se Vareze humbi vetëm në finalen ndaj Sampdorias, ndërsa theksoi se klubi nuk ka luajtur në elitën italiane që prej sezonit 1974-1975 dhe sot militon në Serinë D.
Një tjetër moment i rëndësishëm i karrierës së Maran ishte aventura me Katanian, ku ai vendosi rekordin e pikëve të klubit në një sezon të vetëm në Serinë A. Sipas gazetarit, ajo skuadër kishte një stil loje spektakolar, sidomos në ndeshjet në shtëpi, me lojtarë si Papu Gomez, Barrientos dhe Bergesio. Në atë ekip bënte pjesë edhe sulmuesi shqiptar Edgar Çani, megjithëse me hapësira të kufizuara.
Vlerësime pozitive Moçiaro dha edhe për periudhën te Kievo, ku Maran arriti të siguronte mbijetesën në disa sezone, pavarësisht një buxheti të kufizuar dhe mungesës së mbështetjes së madhe nga tifozët.
Ndërkohë, te Kaljari ai kujtoi fillimin mbresëlënës të sezonit 2019, kur skuadra sarde ëndërronte edhe një vend në Ligën e Kampionëve.
“Kaljari luante futboll shumë të mirë me skemën 4-3-1-2. Por pas humbjes dramatike ndaj Lacios në shtesë, gjithçka ndryshoi. Ekipi hyri në krizë dhe Maran u shkarkua. Që nga ai moment, karriera e tij nisi një rënie graduale”, tha Moçiaro.
Sipas tij, trajneri italian nuk arriti më rezultate të rëndësishme dhe u largua nga elita e futbollit italian, duke drejtuar më pas skuadra të Serisë B si Piza dhe Breshia.
Në lidhje me sfidën në krye të Shqipërisë, gazetari italian e konsideron emërimin e Maran një pikëpyetje, kryesisht për shkak të mungesës së përvojës jashtë Italisë dhe faktit që ai ka qenë gjithmonë një trajner i fokusuar te puna e përditshme me klubet.
“Maran ka qenë gjithmonë një trajner fushe dhe nuk ka punuar kurrë jashtë Italisë. Impakti i parë mund të jetë i vështirë. Megjithatë, ai ka avantazhin që shumë lojtarë shqiptarë aktivizohen në Itali, gjë që mund ta ndihmojë”, u shpreh Moçiaro.
Ai shtoi se eksperiencat te Katania dhe Kaljari mund ta ndihmojnë trajnerin italian të përballojë presionin e tifozërisë shqiptare, të cilën e cilësoi pasionante dhe kërkuese.
“Shqetësimi im kryesor është fakti që prej disa vitesh ai ka qenë jashtë qarkullimit të emrave të rëndësishëm në futbollin italian dhe ndoshta ardhja e tij në Shqipëri vjen disi me vonesë”, përfundoi gazetari italian.
Lini një Përgjigje