
Marash Kumbulla duket se ka lënë pas një periudhë të vështirë në kampionatin spanjoll dhe tashmë synon rikthimin në formën e tij më të mirë. Qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare u rikthye në fushë fundjavën e kaluar me Majorkën, ku regjistroi disa minuta në fitoren ndaj Rajo Vajekanos. Në atë përballje, sulmuesi Vedat Muriqi vendosi një rekord historik si golashënuesi më i mirë i klubit.
Ndërkohë, skuadra e Majorkës po përgatitet për një sfidë të vështirë ndaj Valencias këtë fundjavë. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Kumbulla është pranë rikthimit në formacionin titullar, pavarësisht se nuk ka luajtur rregullisht që nga muaji janar. Ai mund të jetë një nga surprizat e këtij takimi.
Forma jo e mirë e mbrojtësit Maskarel ka krijuar një mundësi të artë për Kumbullën, i cili tashmë është rikuperuar dhe synon të rifitojë vendin në formacion. Performanca në javët e mbetura të sezonit mund të jetë vendimtare për të ardhmen e tij, duke qenë se drejtuesit e klubit po vlerësojnë mundësinë e blerjes së kartonit nga Roma.
Në rast se kjo nuk realizohet, Kumbulla pritet të rikthehet te klubi italian, për të pritur një tjetër lëvizje në merkato, me gjasë në formën e një huazimi të ri.
Lini një Përgjigje