
Melburn Siti arriti një fitore të rëndësishme me përmbysje ndaj Brisban Roar, duke triumfuar 3-2 në javën e 25-të të kampionatit australian A-League. Skuadra vendase e mbylli pjesën e parë në disavantazh, por reagoi fuqishëm në fraksionin e dytë të lojës.
Protagonist i kthesës ishte Junis, i cili fillimisht barazoi shifrat në minutën e 61-të nga pika e bardhë, përpara se të përmbyste rezultatin vetëm gjashtë minuta më vonë. Goli i sigurisë për Melburn Siti u realizua në minutën e 80-të nga sulmuesi me origjinë shqiptare, Medin Memeti.
Memeti, i aktivizuar si zëvendësues, pati ndikim të menjëhershëm në lojë, duke vulosur fitoren dhe duke siguruar tre pikë të rëndësishme për ekipin në garën për titullin kampion.
Performanca e tij ka shtuar interesin edhe në planin ndërkombëtar. Aktualisht, Memeti është pjesë e përfaqësueses U-20 të Australisë. Megjithatë, sipas rregulloreve të FIFA-s, ai mund të ndryshojë kombëtaren për sa kohë nuk ka debutuar në një ndeshje zyrtare me ekipin e parë.
Në këtë kontekst, mbetet për t’u parë nëse Federata Shqiptare e Futbollit do të ndërmarrë hapa konkretë për ta afruar lojtarin në radhët e kuqezinjve, në një kohë kur kombëtarja kërkon alternativa në repartin ofensiv.
Lini një Përgjigje